presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në Ceremoninë e ndarjes së Çmimeve FIDES për Filantropi në Kosovë

Kam kënaqësinë t’ju drejtohem në këtë mbrëmje të veçantë të ndarjes së çmimeve Fides, të cilat vlerësojnë vizionin e qytetarëve dhe bizneseve të ndryshme për të kontribuar në mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë me anë të shpirtit filantropik.

Të nderuar pjesëmarrës, Kam kënaqësinë t’ju drejtohem në këtë mbrëmje  të  veçantë të ndarjes së çmimeve Fides, të  cilat vlerësojnë vizionin e qytetarëve  dhe bizneseve të ndryshme  për  të kontribuar  në mirëqenien e përgjithshme të  shoqërisë  me  anë  të  shpirtit  filantropik. Vlerat  që mbart kjo natë, ajo e solidaritetit, e mirëkuptimit, e tolerancës, e respektit dhe e përgjegjësisë ndaj njëri-tjetrit, janë  vlera  të  cilat  shoqëria  jonë  i  ka  përqafuar  brez  pas  brezi. Shpeshherë gjatë historisë tonë, kanë qenë këto vlera të cilat kanë mbrojtur identitetin dhe traditën tonë, kanë krijuar mekanizma  mbijetese  dhe  rezistence, mbi të  gjitha  kanë  shtrirë  dorën e shpresës për një të ardhme më të ndritur dhe prosperuese. Sot ato i shohim të shkrira në themelet e shtetit të cilin e kemi ndërtuar dhe në rolin që kemi marrë për obligim të luajmë si shoqëri  përkrah  vendeve  të  lira  të  botës. Dëshiroj të  përgëzoj  organizatorët e këtij eventi  që  kanë  kthyer  tashmë  në  traditë të përmotshme shprehjen e mirënjohjes për vlerat qytetare e njerëzore për t’u përkujdesur ndaj njëri-tjetrit, duke vlerësuar lart përkushtimin e të gjithë atyre  që  sot  nderohen  me  çmimet  Fides. Të nderuar të pranishëm, Secila vepër filantropike është e veçantë, pasi përcjell mesazhe të fuqishme të vlerave më të sinqerta njerëzore që tejkalojnë kufijtë e vështirësitë, që thyejnë tabu e stigmë, duke ofruar mundësi,  shpresë,  mbështetje e dashuri.Çdo  ditë  jemi të rrethuar nga nisma të cilat  me  impaktin e tyre ndryshojnë jetën e njerëzve, nisma të cilat arrijnë të mobilizojnë  edhe masa të tëra njerëzish për  t’u  solidarizuar  me të tjerët në mbrojtje të  të  drejtave e vlerave njerëzore. Në  këtë  natë  nderohet  pikërisht  edhe  një nismë e tillë,  e ndërmarrë nga artistja Alketa Xhafa Mripa, të cilën unë e kam mbështetur  që  në  hapat e parë, së bashku me  të  gjithë  anëtarët e Këshillit Kombëtar për  të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe partnerët e tij të shumtë, për mesazhin e rëndësishëm që synoi të përcjellë, atë të mbështetjes dhe të solidarizimit me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës. Vizioni i Alketes për të ekspozuar 5000 mijë  fustane  në  stadiumin e Prishtinës, si thirrje për drejtësi për të mbijetuarat e dhunës  seksuale  gjatë  luftës me anë të një  instalacioni artistik, arriti të trokasë në të  gjithë  vendin  dhe në mbarë botën, duke gjetur  mbështetjen e mijëra qytetarëve  në  një  solidaritetit  të pashoq i cili u tregua gjatë këtij evinimenti. Një solidaritet universal që tejkaloi kufijtë dhe kumboi fuqishëm për këtë krim lufte të  kryer  në  Kosovë  mbi  gra  e burra  të  pafajshëm, për  këtë mjet  lufte i cili  ende prek më  mijëra  njerëz  në  mbarë botën  dhe  nevojën e një mobilizimi global  për  ta  parandaluar  atë. Instalacioni  artistik ‘Mendoj për ty’ i Alketa Xhafa Mripa dhe i producentes Anna di Lellio, i cili u  kthye në një lëvizje, gjeti  mbështetje  në  përpjekjet e organizatave joqeveritare të grave si Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të mbijetuarve të Torturës,  Medica  Gjakova,  Medica  Kosova,  Qendra për promovimin e  të drejtave  të  grave, përpjekjet e aktivisteve të të drejtave të njeriut si  Sevdije  Ahmeti,  Igballe  Rogova,  e  shumë grave  të  tjera, të  cilat që prej 16 vitesh pas përfundimit të luftës ngrejnë zërin  për  drejtësi  për  të të gjithë të mbijetuarit. Gjithashtu  dhe përpjekjet e institucioneve të vendit për  t’iu ofruar atyre një jetë më dinjitoze, duke kontribuar në ngritjen e vetëdijes shoqërore  për  këtë  krim të luftës të bërë ndaj popullatës sonë. Pasojat e rënda dhe tragjedia që preku shoqërinë tonë, popullatën e pafajshme, gratë e burrat, të  moshuarit  e fëmijët, gjatë  kohës  së luftës, u risollën në kujtesën e opinionit ndërkombëtar si një thirrje e fuqishme  e  mijëra  qytetarëve  për drejtësi. Alketën e përgëzoj për çmimin për  fushatën  më  të mirë vetëdijesuese dhe e falënderoj  për  kontributin e saj që i dha kësaj kauze  kaq të  rëndësishme për  shoqërinë  tonë. Dhe krejt në fund, të nderuar të pranishëm, ministër, zoti Abazi, zoti Jashari, zoti Zejnullahu, zonja Berisha, duke e uruar Fondacionin për iniciativë qytetare për organizimin e këtij eventi, shpreh  përkushtimin  tim  të  palëkundur për  të  mbështetur  çdo  nismë  e cila synon  të  mbështes të mbijetuarat e dhunës  seksuale gjatë luftës dhe të ofroj mirëqenie të gjithmbarshme  për  të  gjithë  qytetarët e vendit tonë pa dallim. Dhe krejt në fund, ju uroj të gjithëve për çmimet që do të merrni sonte dhe ju përgëzoj për kontributin tuaj të vazhdueshëm për vendin tonë. Ju  faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.