Deklaratë e Presidentes Jahjaga:Mirëpres vendimin e Bordit të “Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbje” (GCERF), sot në Gjenevë, për ta përfshirë Kosovën në nismat e këtij fondi për të parandaluar dhe për t’u ballafaquar me ekstremizmin e dhunshëm përmes iniciativave vendore.
Përfshirja e Kosovës, si njëra nga shtetet që do të përfitojnë nga fondi prej 25 milionë dollarëve, është bërë me kërkesën time për t’iu dalë në ndihmë komuniteteve të rrezikuara nga ky fenomen brenda Kosovës. Qasja në këtë fond do të krijojë partneritete të reja dhe mundësi për iniciativa të ndryshme, që do të ndihmojnë fuqizimin e qytetarëve për të luajtur rol aktiv në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.Tashmë është e qartë që Kosova, si shumë vende të tjera në Evropë, është prekur nga ndikimi i rrjeteve terroriste, që promovojnë një agjendë të ekstremizmit të dhunshëm në vend dhe jashtë tij, në formë të pjesëmarrjes në luftëra të huaja dhe veprimtarive të tjera terroriste. Arrestimet e sotme, rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet policisë së Kosovës dhe policisë italiane, janë dëshmia më e re për shtrirjen e këtij problemi dhe kërcënimin që ai paraqet për të gjithë neve.Ne e kemi dëshmuar deri më tani se institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës janë plotësisht të përkushtuara që këto elemente dhe veprimtaritë e tyre të mos gjejnë vend në Kosovë, por përpjekja jonë për të çrrënjosur këtë sfidë për sigurinë e qytetarëve të Kosovës dhe të aleatëve tanë do të varet nga një bashkëpunim i gjerë dhe gjithëpërfshirës, që adreson shkaktarët që e nxisin ekstremizmin e dhunshëm.Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbjes ka selinë në Gjenevë dhe është themeluar si përpjekje globale përmes partneriteti publiko-privat, në bashkëpunim me qeveritë, shoqërinë civile dhe sektorin privat, për të mbështetur përpjekjet e shteteve për të adresuar ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizimin. Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës ka bashkërenduar për së afërmi procesin e përfshirjes së Kosovës në këto nisma.Presidentja Jahjaga ka vizituar selinë e Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbje në Gjenevë në mars të këtij viti, si dhe ka takuar udhëheqësit e kësaj organizate në shtator gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork.