DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Deklaratë e Presidentes së Republikës së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga, e vlerëson mbarëvajtjen e manifestimit të organizuar nga tri subjekte politike, më 28 nëntor dhe çmon sjelljen e dinjitetshme të të gjithë qytetarëve të Kosovës në ditën e festës.

Presidentja Jahjaga ripërsëritë qëndrimin se zgjidhjet për çdo shqetësim duhet të gjenden përmes dialogut në kuadër të institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike, që përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve të vendit. Presidentja Jahjaga bën thirrje për vendosjen e dialogut politik ndërmjet të gjitha subjekteve politike të vendit, me qëllim të shmangies së përdorimit të dhunës dhe të imponimeve si mjet të zgjidhjes, që rrjedhimisht siguron rendin demokratik në vend. Presidentja e Republikës së Kosovës vlerëson se përkushtimi për ndërtimin e shtetit të së drejtës, nënkupton zbatim të plotë të ligjit dhe njëkohësisht edhe respektim të rendit e në veçanti të organeve të drejtësisë, që funksionojnë të pavarura. Presidentja Jahjaga e vlerëson angazhimin e organeve të rendit në Republikën e Kosovës për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike dhe thekson se bashkëpunimi me to, i të gjithëve, ndihmon në forcimin e sigurisë së përgjithshme në vend. Presidentja Jahjaga konsideron se ruajtja e vlerave demokratike në vend është obligim dhe detyrë e secilit qytetar të Kosovës në kohën kur vendi po bën përpjekje të fuqishme për të ecur sigurt në proceset që ndodhen përpara tij, drejt thellimit të reformave të përgjithshme dhe veçanërisht në rrugën e integrimeve evropiane.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.