Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga shpreh keqardhjen për anulimin e përurimit të shumëpritur të Udhës së Kombit si pasojë e protestës së një grupi qytetarësh në fshatin Gjurgjicë.
Përurimi i Udhës së Kombit “Ibrahim Rugova”, veprës të përbashkët madhore, është përmbushje e një ëndrre dhe synimi të kamotshëm. Autostrada është realizim i vizionit tonë për lidhje me korridoret evropiane që rrëzon përfundimisht barrierat mes nesh. Shprehim keqardhjen tonë që një vepër kaq madhore u pamundësua sot të përurohet. Presidentja e Kosovës i fton qytetarët të shfaqin maturinë që na ka karakterizuar si shoqëri përballë sfidave shumë të rënda në të kaluarën prej të cilës dolëm fitimtarë dhe t’ju besojmë institucioneve të Republikës së Kosovës në zbatimin e përgjegjësive të tyre. Vlerësojmë se e drejta për të protestuar në asnjë rast nuk duhet të bëhet pengesë për qytetarët e tjerë që duan të kremtojnë të arriturat tona që janë në të mirë të qytetarëve dhe të shtetit tonë që po ndërtohet mbi bazën e shtetit ligjor.