Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, mori pjesë në zbulimin e shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari, në kryeqytetin e Republikës së Shqipërisë, në Tiranë.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, Kryeministri Hashim Thaçi, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti si dhe shumë personalitete të jetës politike e kulturore nga të gjitha trojet shqiptare. Në kuadër të shënimit të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Presidentja Jahjaga, mori pjesë edhe në një koncert të organizuar në Vlorë. Presidentja Jahjaga, gjatë qëndrimit të saj në Vlorë, po ashtu mori pjesë edhe në darkën e shtruar nga kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, zonja Jozefina Topalli, për nder të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.