presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Deklaratë e Presidentes Jahjaga me rastin e Ditës së Paqes

Sot shënojmë një ditë të veçantë të historisë së Kosovës të krijuar me sakrificën sublime të popullit dhe me shpirtin e madh e human të botës së përparuar, që parandaloi një epokë të rëndë të gjenocidit e të përhumbjes dhe që riktheu forcën e shpresës.

Sot, kur janë mbushur 16 vjet prej një fillimi të ri të Kosovës dhe popullit të saj, në çdo cep të vendit, kujtojmë punën, angazhimin dhe vizionin e të gjithëve për lirinë e vendit.Kjo është historia e dhimbshme por krenare e Kosovës, që rilindi 16 vjet më parë me ndihmën e botës së përparuar, që humanizmin e shndërroi në vlerën më të lartë të shoqërisë demokratike, duke parandaluar të keqen dhe duke ndihmuar ndërtimin e një shteti të qytetarëve të barabartë.Në këtë Ditë të Paqes, kur po shërojmë ende plagët e një të kaluare të rëndë, të një historie të dhunshme që kërkon drejtësi dhe në këtë kohë feste, ne rikujtojmë premtimin e dhënë për ta bërë një Kosovë të zhvilluar e demokratike, ku secili do të ndjejë përgjegjësi dhe obligime për ta ndërtuar një të ardhme më ndryshe.Një Kosovë ku toleranca, mirëkuptimi dhe mirëbesimi ndërmjet njerëzve dhe diversiteti kulturor e fetar, janë vlera të veçanta të saj dhe një Kosovë e mundësive të barabarta për të gjithë.Në këtë Ditë feste ne rikujtojmë angazhimin e plotë për ndërtimin e shtetit të së drejtës, ku ligji dhe rendi janë vlerat më të larta të tij dhe për një shtet të besueshëm e të respektuar në botë, që përmbushë obligimet e tij ndërkombëtare.Sot kur sfidat për vendin tonë janë më të theksuara, qëndrojmë fuqishëm përkrah botës së zhvilluar, si pjesë e pandashme e një lufte për të ruajtur dhe zhvilluar demokracinë dhe të sigurt në synimin për të qenë pjesë e barabartë e Evropës dhe një vend i përparuar për të gjitha gjeneratat e ardhshme.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.