presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALIMI I PRESIDENTES NË HAPJEN E INSTALACIONIT “MENDOJ PËR TY”

Për një muaj me radhë, çdo ditë gra dhe burra, në çdo cep të Kosovës iu përgjigjën thirrjes së artistes Alketa Xhafa-Mripa duke dhuruar fustane për të krijuar instalacionin artistik “Mendoj për Ty” për t’u solidarizuar me mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Thirrjes për të thyer heshtjen, për të luftuar stigmën, thirrjes për veprim, për ndërgjegjësim, për pranim.

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës

Ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë

Të nderuar miq,

Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Mysafirë të nderuar,

Zonja dhe zotërinj,

Për një muaj me radhë, çdo ditë gra dhe burra, në çdo cep të Kosovës iu përgjigjën thirrjes së artistes Alketa Xhafa-Mripa duke dhuruar fustane për të krijuar instalacionin artistik “Mendoj për Ty” për t’u solidarizuar me mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Thirrjes për të thyer heshtjen, për të luftuar stigmën, thirrjes për veprim, për ndërgjegjësim, për pranim.

Çdo ditë u rritëm në numër. U bashkuam për t’i përkujtuar dhimbjet e tyre. Për t’ua njohur sakrificën. Dhe për t’u thënë se nuk janë vetëm.

Në këtë vepër të artit publik, që vjen para nesh në formën e mbi 5,000 fustaneve të varura në këtë stadium futbolli, ne komunikuam me njëri-tjetrin me gjuhën universale të artit. Pa ndërmjetësim, drejtpërdrejt.

Bërja e instalacionit të Alketës na dha shumë për të menduar.

Përjetuam shumë emocione. Dëshmuam se Kosova nuk ka qytetarë për të humbur. Se ne nuk i lëmë ata pas. Dhe që në përvjetorin e çlirimit të vendit tonë, në këtë ditë të veçantë, me të mbijetuarit e kësaj torture, që jetojnë ende me këtë luftë brenda vetes, do të jemi bashkë.
Sepse sot derisa e festojmë lirinë, e përkujtojmë edhe vuajtjen e thellë të shkaktuar nga lufta. Sepse paqja jonë kurrë nuk do të jetë e plotë pa paqen e tyre.

Shpresoj që të mbijetuarit ndihen më të lehtësuar, më të vlerësuar, sepse ja ku jemi. Nuk ka ne dhe ata. Jemi ne dhe jemi një.

Sot, kjo fushë futbolli e mbushur me fustane, dhe kjo pamje, po më lë pa frymë. Nga njëra anë, për përmasat e një çështjeje që është heshtur për kaq gjatë. Nga ana tjetër, për shpresën që lind nga ky solidarizim, nga kjo përkrahje.

Gjetëm përkrahjen e aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe organizatave të grave të cilat që në ditët e para u bënë zëri i të mbijetuarave dhe ju ofruan atyre mbështetje të palëkundur. Sevdia, Igballja, Feridja, Mirlinda, Veprorja, Kadirja e shumë e shumë gra të tjera. Ju faleminderit!

E gjetëm përkrahjen te Vlora që dhuroi fustanin që e veshi kur e nënshkroi deklaratën e pavarësisë. Te Nazlia që dhuroi fustanin e vetëm që e kishte veshur ndonjëherë. Te Lulja që e dërgoi fustanin që kishte veshur kur emigroi në Amerikë. Te Rifat Jashari që na tha se faji nuk ka qenë i tyre. Te dy gratë që dhuruan fustanet e tyre të nusërisë.

Morëm përkrahje nga Cherie Blair e Baronesha Anelay që dhuruan fustane që i kishin veshur në ngjarje historike, të frymëzuara nga thirrja për t’iu dalë krahë të mbijetuarave të këtij krimi mizor rreth e përqark botës dhe për ta çrrënjosur këtë krim lufte.

Por, dy funde të varura këtu, me mbishkrime personale, më kanë prekur më shumë se kurrë. “E kam një përjetim të hidhur,” ishte shkruar në njërin. “Ky fund ka një histori të mbyllur nga pranvera e vitit 1998,” shkruante në tjetrin.

Janë pikërisht këto gra që duam t’i përkrahim për t’i nxjerrë në dritë rrëfimet e tyre, për t’i hapur ato, jo për t’i mbajtur të mbyllura, të heshtura. Turpi nuk rëndon mbi to, por mbi ata që kryen këtë krim mizor mbi to.

Ato e kanë guximin dhe më nuk duhet të ndihen të vetmuara.

Të nderuar të pranishëm,

Jam shumë krenare që i dhashë mbështetjen time kësaj vepre të guximshme.

Nga kjo foltore sot dua t’iu falënderohem në veçanti organizatave që u përkujdesën për dy dekada për mirëqenien e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. 

Dua ta falënderoj Alketën dhe producenten Anna di Lellio që përmes këtij instalacioni artistik prekën zemrat e shumta dhe na dhuruan një vepër që na bënë krenar si shoqëri. Thank you to both of you!

Jetësimi i këtij instalacioni dhe dokumentimi i tij do të kishte qenë i pamundur pa ndihmën dhe mbështetjen e partnerëve tanë që mbështetën financiarisht dhe moralisht këtë përpjekje për të nisur këtë diskutim të rëndësishëm.

Por, në veçanti dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Kosovës që njohën aq shumë dhembje e vuajtje dhe që gjejnë forcën për të shkuar para.

Dhe duke e bërë këtë, diskursi politik, social e publik, për trajtimin e kësaj çështjeje, për trajtimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, ka filluar të ndryshojë.

Sot po shohim që rrëfimet e tyre kanë filluar të ndryshojnë. Tani ato kanë filluar të bëhen rrëfime të të mbijetuarve, të cilat kanë mbështetjen e institucioneve, të komunitetit, të sektorit privat, që ka filluar t’i konsiderojë si potencial për zhvillimin e kompanive të tyre, të sektorit publik që ka filluar t’i shoh ato si partnere për avancimin e gjithmbarshëm të shoqërisë.

Shumë shpresë ka në këtë shoqëri që i përqafon të gjithë. Ky është vetëm hapi i parë. Na mbetet shumë punë për të bërë së bashku.

Ju faleminderit!
 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.