presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga vizitoi kompaninë e tekstilit “Kosova Tex”

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga së bashku me shefin e USAID-it në Kosovë, James Hope vizituan kompaninë e tekstilit “Kosova Tex”. Presidentja Jahjaga u informua nga drejtuesit e “Kosova Tex” për punën dhe suksesin e kësaj kompanie dhe për fillimin e projektit për fuqizimin e sektorit privat edhe për fuqizimin e grave në fushën e ekonomisë.

Pas vizitës së punëtorisë në këtë kompani, presidentja Jahjaga bëri një deklaratë për media të cilën do t’ua sjellim të plotë: Përshëndetje të gjithëve, Sot kam ardhur këtu së bashku me drejtorin e USAID-it për Kosovë, për të vizituar “Kosova Tex” dhe për të lansuar bashkërisht projektin për fuqizimin e sektorit privat e po ashtu edhe për fuqizimin e grave në fushën e ekonomisë. Ne patëm një program që na u tregua e gjithë puna që bëhet këtu në këtë kompani nga stafi dhe nga zoti Destani dhe t’ju them të drejtën u impresionova lidhur me gjithë punën jashtëzakonisht të mirë që bëhet në këtë kompani që është një shembull i mirë jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin dhe më gjerë. Veçanërisht dua të them se është një tregim i suksesit dhe inkurajues për sektorin privat në Kosovë se si duhet të punohet dhe veçanërisht për plasimin e  të gjitha prodhimeve të tyre jashtë vendit. Arsyeja kryesore që jemi mbledhur të gjithë këtu sot është për këtë projekt të partneritetit publiko-privat që të shfrytëzojnë aspektin më të mirë të mundshëm fuqinë punëtore të Kosovës që e ka sepse ju e dini shumë mirë që Kosova ka ende probleme të konsiderueshme sa i përket shkallës së ulët të punësimit, veçanërisht tek të rinjtë dhe 50 për qind të popullsisë sonë që janë gratë dhe vajzat që atë potencial duhet ta shfrytëzojmë në zhvillim të gjithmbarshëm të vendit tonë. Ne duhet të orientohemi si shtet dhe si institucione vendore që të sigurojmë një bazë të qëndrueshme ekonomike të vendit tonë, duhet ta sigurojmë një bazë të qëndrueshme të gjenerimit të vendeve të reja të punës të qytetarëve tanë dhe vetëm kjo na garanton, jo vetëm qëndrueshmërinë e shtetit, por na garanton procesin integrues të shtetit tonë ku ne e kemi përcaktuar, përmes procesit të integrimit evropian dhe euroatlantik. Veçanërisht u inkurajova të shoh projektin që ne bashkërisht kemi realizuar me “Kosova Tex” dhe me ndihmën dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe USAID-it që fokus të veçantë ka fuqizimin ekonomik të vajzave dhe të grave dhe të grupeve të margjinalizuara, veçanërisht në zonat rurale që ne kemi ende punë për të bërë, jo vetëm në edukimin dhe shkollimin e tyre, por kemi të bëjmë edhe me fuqizimin ekonomik të tyre.  Këtu i kemi 20 gra të cilat janë duke e marrë programin e tyre e që janë një potencial i jashtëzakonshëm që do të shfrytëzohen për trajnime të mëtutjeshme të tyre, por edhe për punësimin e tyre përbrenda kësaj kompanie edhe për shfrytëzimin e mëtutjeshëm të tregut. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.