Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim një delegacion të Emirateve të Bashkuara Arabe, të prirë nga Maitha Al Shamsi, ministre e shtetit e Emirateve të Bashkuara Arabe, dhe dr.Mata Barakat, drejtoreshë e Autoritetit të Shëndetësisë në Abu-Dabi.
Në takimin e përzemërt, Presidentja Jahjaga bisedoi me delegacionin nga Emiratet e Bashkuara Arabe lidhur me donacion prej mbi 22 milionë euro për ndërtimin e një Spitali të ri Pediatrik-Kirurgjik në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, marrëveshja për ndërtimin e të cilit është ndërtuar më herët. Në një deklaratë pas takimit, Presidentja Jahjaga theksoi: Kam nderin e veçantë që sot, së bashku me miqtë tonë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të bëjmë zyrtarisht fillimin e planeve për ndërtimin e qendrës pediatrike të dhuruar nga Lartmadhëria e saj, Sheika Fatima bint Mubarak, fëmijëve të Republikës së Kosovës. Ky është fillimi i jetësimit të klinikës pediatrike që do të na ndihmojë të jetësojmë ëndrrën e familjeve tona dhe gjeneratës tonë për t’u përkujdesur për fëmijët e Kosovës, për të rritur të shëndoshë një gjeneratë të re. Për qytetarët e Kosovës ndërtimi i klinikës pediatrike kirurgjike është ndihmë e jashtëzakonshme. Ky spital përmbush një nevojë urgjente për përmirësimin e përkujdesit shëndetësor të fëmijëve të Kosovës dhe në përgjithësi përmirësimin e kualitetit të jetës dhe mirëqenies së familjeve tona. Ajo do të jetë e vendosur brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, mes Klinikës Gjinekologjike dhe departamentit të vjetër të pediatrisë, që edhe simbolikisht lidh përkujdesin ndaj nënës dhe fëmijës.Klinika e re, e cila pritet të hapet në verën e vitit 2017, me vlerë prej 22 milionë eurosh, do të përfshijë shërbime shëndetësore të porsalindurve, ortopedi, neurologji, urologji, endokrinologji, kardiologji, onkologji, hematologji dhe mjekësi emergjente, duke na ndihmuar në këtë mënyrë që të shpëtojmë jetë.Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe emrin tim personal i shpreh falënderimet e mia të përzemërta Lartmadhërisë së saj, Sheika Fatima bint Mubarak për humanitetin dhe zemërgjerësinë për të dhuruar këtë përkujdes për fëmijët dhe familjet e Kosovës dhe më gjerë. Jam shumë krenare që miqësia e dy vendeve tona – që ka filluar në ditë shumë të vështira për Kosovën – sot vuloset me këtë klinikë pediatrike që me nder e krenari do të mbajë emrin e Sheika Fatimes si dëshmi e humanitetit të saj qëndrueshmërisë së marrëdhënieve tona të shkëlqyeshme të cilat do të vazhdojmë t’i avancojmë.Pas takimit, Presidentja Jahjaga dhe delegacioni i Emirateve të Bashkuara Arabe vizituan vendin ku do të ndërtohet Spitali i ri Pediatrik-Kirurgjik në Prishtinë.