Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga i është drejtuar me një video-mesazh pjesëmarrësve të Konferencën për barazinë gjinore, organizuar nga KFOR-i.
Në mesazh thuhet:Të nderuar pjesëmarrës,Të dashura mike, Në pamundësi t’ju drejtohem drejtpërdrejt kam kënaqësinë e veçantë t’ju përshëndes përmes këtij video mesazhi, duke ju përgëzuar për punën dhe angazhimin e tuaj në trajtimin e çështjeve që ndërlidhen me zhvillimin e gjithmbarshëm të shoqërisë. Komandant i KFOR-it, gjenerali Filioglio dua t’ju shpreh mirënjohjen time që po i jepni mbështetje çështjes së barazisë gjinore, duke marrë si shembull edhe vetë përbërjen e forcave multietnike që ju udhëhiqni, dhe shoqëritë prej nga vini.Barazia gjinore ka të bëjë me nivelin e zhvillimit të një vendi, me funksionimin e demokracisë së tij, me përgjegjësinë ndaj qytetarëve, pa dallim, pra ka të bëjë me çështje që na përkasin të gjithë ne, si grave ashtu edhe burrave. Dhe prandaj unë e konsideroj se nuk mund të ketë dallime gjinore nëse duam zhvillim të gjithmbarshëm të shoqërisë. Pjesëmarrja e gruas në sektorët që tradicionalisht janë rezervuar për burrat ka sjellë ndryshime rrënjësore dhe të rëndësishme në shoqëri. E prandaj po thyejmë barrierat dhe stereotipet gjinore, po sfidojmë mentalitetin patriarkal duke zgjedhur rrugën e progresit, përmes pjesëmarrjes e ofrimit të mundësive të barabarta për të gjithë pa dallim.Shoqëria jonë ka zgjedhur rrugën e progresit dhe prandaj jeni ju mike të nderuara, dhe jemi NE, që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që të ardhmen e shohim më ndryshe.