Arbër Vllahiu, këshilltar politik për media dhe marrëdhënie me publikun i Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga i ka dhënë një deklaratë mediave lidhur me marrëveshjen e arritur sot për veriun e Kosovës.
Më poshtë po e sjellim të plotë deklaratën e zëdhënësit Vllahiu:Marrëveshja e arritur ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë, e ndërmjetësuar dhe e miratuar me KFOR-in, është një lajm i mirë për qytetarët e të dyja vendeve, është një veprim i arsyeshëm që e zhbllokon gjendjen e krijuar në tri komunat veriore të Kosovës dhe në pikat kufitare 1 dhe 31. Edhe njëherë e theksojmë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për aplikimin e masave të reciprocitetit në këmbimin e mallrave me Serbinë dhe në urdhrin e Kryeministrit të Kosovës për të dërguar një njësi të policisë speciale të Kosovës për t’u mundësuar doganave të Kosovës zbatimin e masës së doganimit dhe të kontrollit të mallrave që hyjnë në territorin tonë, ishte një veprim i drejtë e i koordinuar dhe si i tillë legal dhe legjitim për shtetin sovran të Kosovës.Bllokimi i rrugëve dhe tentimi për kundërshtim të masave të Qeverisë dhe për tentim të mosrespektimit të ligjit dhe rendit, rrezikonte të çonte një pjesë të territorit në një krizë humanitare dhe në acarim të marrëdhënieve ndërmjet qytetareve të kësaj pjese të territorit të Republikës së Kosovës. Angazhimi i Bashkimit Evropian dhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në atë që palët t’i kthehen dialogut dhe që të gjejnë zgjidhje të përshtatshme dhe të dobishme, si dhe konkretisht angazhimi i KFOR-it në kuadër të mandatit të tij për ruajtjen e pacenueshmërisë së kufijve dhe ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon dhe parandalimin e trazirave ndëretnike si dhe në kuadër të mandatit të dhënë nga institucionet e Kosovës, ishte frytdhënës, që mundësoi arritjen e marrëveshjes, e cila siguron lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave në gjithë territorin e Kosovës. Ky është parim i demokracisë dhe nga kjo përfitojnë të gjithë qytetarët pa dallim përkatësie etnike apo fetare.Institucionet e Republikës së Kosovës, Presidentja e vendit angazhohen që edhe me Serbinë të gjitha çështjet, ashtu si edhe me shtetet e tjera, të zgjidhen nëpërmjet dialogut dhe marrëveshjeve. Agjenda në Bruksel, që palët dialogojnë me ndërmjetësimin e BE –së, është alternativa e vetme deri në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dy shtete sovrane që e kanë të ardhmen e përbashkët në rrugën e integrimeve euroatlantike dhe këtë rrugë me sukses mund ta kalojmë vetëm duke bashkëpunuar dhe duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke i zgjidhur të gjitha çështjet dhe problemet praktike në modelin e standardeve evropiane.