Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Gjermanisë, Guido Westerwelle. Ministri i jashtëm Westerwelle e përgëzoi Presidenten për marrjen e detyrës në krye të shtetit dhe tha se Gjermania është e përkushtuar për ta mbështetur Kosovën në të gjitha proceset demokratike. Ai tha se është me rëndësi progresi i Kosovës në të gjitha fushat dhe në veçanti në fushën e zhvillimit ekonomik.
Ministri i jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, tha se Gjermania mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës dhe vlerësoi se është i rëndësishëm bashkëpunimi dhe koordinimi i Kosovës me vendet anëtare të BE-së dhe në veçanti me Gjermaninë, si vend përkrahës i saj. Ai tha se duhet të koordinohen të gjithë hapat dhe theksoi rëndësinë e informimit, posaçërisht të vendit të tij, për veprimet që ndërmerren në Kosovë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e falënderoi ministrin gjerman për mbështetjen që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë vendi i tij Kosovës në të gjitha fushat. Ajo tha se është me rëndësi thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën politike dhe ekonomike dhe vlerësoi se Gjermania mund të ndihmojë në konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit dhe shtetësisë së Kosovës.
Presidentja tha se Kosova duhet të kemi një rrugë të pakthyeshme të integrimit evropian dhe duhet të ketë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, që do të thellonte reformat e brendshme dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ajo tha se nuk ka zgjidhje tjetër përveç sundimit të ligjit dhe zbatimit të plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe tha se nuk do të mbështetet ndarja e Kosovës ose riaranzhimet e brendshme të vendit tonë.
Presidentja e Republikës së Kosovës tha se vendimi i qeverisë së Republikës së Kosovës për masat e reciprocitetit me Republikën e Serbisë, dhe angazhimi i forcave policore për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi duke kontrolluar pikat doganore kufitare 1 dhe 31 dhe në gjithë kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të parandalimit të kalimit ilegal dhe kontrabandës, dëshmon përkushtimin e shtetit të Kosovës për të ruajtur tërësinë territoriale dhe sovranitetin e saj.
Ajo tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka për qëllim që të gjejë zgjidhje praktike me të cilat jeta e qytetarëve në rajon mund të përmirësohet dhe theksoi se Kosova dhe Serbia duhet të vendosin një marrëdhënie normale, sikurse e kanë të gjitha vendet e tjera në rajon, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ruhet paqja dhe stabiliteti në Ballkan.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR