presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Urimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga, për festën e Fitër Bajramit

Të gjithë qytetarëve të besimit islam të Republikës së Kosovës dhe të mbarë botës ju uroj Ditën e Fitër Bajramit, me dëshirat më të mira që këtë festë ta kalojnë me familjarët, me të afërmit dhe me miqtë, në atmosferë gëzimi, hareje e mirëkuptimi, në begati, me sofrat e mbushura plot me të gjitha të mirat që ju ka dhuruar Zoti.

Festa e Fitër Bajramit vjen pas muajit të madhërishëm të Ramazanit, muajit të agjërimit, të lutjeve, të përkushtimit, të forcimit të besimit, të përkujdesjes dhe ndihmës së ndërsjellë. Kjo ditë na rikujton që t’i kthehemi veprave të mira, sinqeritetit dhe ndershmërisë, forcimit të bindjes për të punuar mirë dhe drejt dhe në dobi të të gjithëve për një të ardhme të ndritur në misionin human të njeriut si krijesë e Perëndisë. Në këtë ditë, të përkujtojmë të gjithë ata që u flijuan për atdheun, të gjithë ata që, me punën dhe me angazhimin e tyre, dhanë kontributin për lirinë dhe pavarësinë e vendit për ndërtimin e Republikës së Kosovës, shtet të lirë dhe të pavarur, duke nderuar familjet e tyre, duke  respektuar veprën e sakrificën, si frytet dhe vlerat më të larta sublime. Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim, në vendin e vet ndërtojnë shtetin dhe shoqërinë demokratike të bazuara në vlerat e civilizimit bashkëkohor, të lirisë dhe të barazisë, të shprehjes dhe të besimit fetar. Fitër Bajramin e festojmë si vend faktor paqeje dhe stabiliteti, si vend i demokracisë së zhvilluar, si shtet që gëzon përkrahjen e fuqishme të miqve ndërkombëtarë, me synimin që Republika e Kosovës, në të ardhmen e afërt, të bëhet anëtar me të drejta të plota i Bashkimit Evropian dhe i OKB-së dhe vend anëtar i NATO-s. Për Ditën e Fitër Bajramit uroj Myftiun e Kosovës, zotëri Naim Tërnava, Bashkësinë Islame të Republikës së Kosovës, që udhëheq me përkushtim, si pjesë e rëndësishme e shoqërisë sonë, që jep kontribut konstruktiv e të rëndësishëm në të gjitha rrjedhat, që gëzon përkrahjen e institucioneve të Kosovës në realizimin e synimeve që janë në dobi të njerëzve dhe të shtetit. Gëzuar festën e Fitër Bajramit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.