presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi sot selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, ku u prit nga myftiu Naim Tërnava dhe udhëheqës të tjerë të kësaj bashkësie, të cilët i uroi për festën e Fitër Bajramit.

Ju urojë Ditën e Fitër bajramit me dëshirat që këtë festë ta kaloni të lumtur në gëzime dhe në begati me familjarët me farefisin me miqtë dhe me të afërmit tuaj. Kjo ditë e lume vjen pas muajit të madhërueshëm të Ramazanit, muajit të agjërimit muajit të forcimit të shpirtit dhe të pastrimit të trupit, muajit kur njeriu e provon dhe e dëshmon veten në besimin në veten dhe në besimin dhe në dashurinë ndaj Zotit, tha Presidentja Jahjaga gjatë vizitës më Bashkësinë Islame të Kosovës. Është kjo festë tradicionale tashmë e popullit tonë, që është një nga shtyllat e besimit, të përkushtimit, të vullnetit, të ndihmës dhe të përkrahjes. Ne gjatë gjithë kohës i bëjmë veprat e mira por në këtë ditë më shumë se zakonisht i kujtojmë të tjerët, i shohim njerëzit që kanë nevojë për neve, që ndihma jonë si obligim i yni e jo i tyre shihet si një dhunti, si një vepër që nuk na bën krenar por na shtyn të mendojmë që të gjithë njerëzit t’i kenë kushtet dhe mundësitë e njëjta për jetë, për punë për mësim për përparim, vijoi ajo. Populli ynë e respekton njëri-tjetrin, e kultivon tolerancën fetare, që e sheh si begati të fisnikërimit e të pastërtisë së shpirtit. Ne si popull dhe si vend jemi pjesë e civilizimit evropian, ndërsa besimi islam është pjesë e qenies kolektive të popullit tonë, tha ajo.Presidentja Jahjaga tha se Bashkësia Islame e Kosovës është duke e luajtur një rol  përparimtar, e ka luajtur në të kaluarën dhe i është gjendur pranë popullit të Kosovës gjatë gjithë kohëve kyçe për fatin dhe për historinë tonë. Këtë rol jam e bindur plotësisht do ta ketë edhe në të ardhmen, në kohët dinamike nëpër të cilat po kalojmë në rrugën e integrimeve euroatlantike. Republika e Kosovës e ka vendin e rëndësishëm në rajon si faktor paqeje dhe stabiliteti dhe do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, e Organizatës së kombeve të Bashkuara dhe e NATO-s. Këtu e shohim veten dhe kjo është e vetmja alternativë, që të përparojë populli, të zhvillohet ekonomia, të reformohet arsimi dhe edukimi dhe që rinia jonë të jetë rini bashkëkohore që përcjell dhe zotëron trendet e teknologjisë dhe të risive, shtoi zonja Jahjaga. Edhe Ju si e gjithë shoqëria jonë kaloni nëpër transformime dhe i keni sfidat e juaja. Është e rëndësishme se synimet dhe qëllimet arrihen në kërkesa demokratike dhe në procedura demokratike, që nuk paragjykojnë dhe që nuk imponojnë. Vlerat e demokracisë parlamentare, vlerat e ndërtimit të shtetit të pushteteve të ndara por edhe të ndarjes së besimit nga shteti janë vlera që i dëshmoi koha si më të mira dhe më të përshtatshme për harmonizim të pikëpamjeve dhe të qëndrimeve, tha Presidentja Jahjaga.Kërkesa juaj për ndërtimin e një xhamie më të madhe ose e një qendre islamike është e drejtë dhe ajo do të gjen përkrahje. Procedurat e gjetjes së lokacionit dhe të ndërtimit duhet të harmonizohen dhe të sjellin dobi dhe të mira për të gjithë. Ju e dini se punët nuk bëhen për t’u dukur, e as për t’u krahasuar, por ato bëhen për të qenë në funksion dhe për të përmbushur nevojat. Ju këto gjëra i keni menduar dhe e dini se islami është pjesë e vlerave të civilizimit dhe nuk është e gjithë vlera vet, sikurse nuk është edhe asnjë besim tjetër. Edhe njeriu që është krijesë e Zotit, me të gjitha dhuntitë që i ka, shëndetin, mendjen, ndershmërinë guximin… po i përmendi vetëm disa veçori të tij si qenie, nuk është i vetëmjaftueshëm, por vetëm në bashkëpunim me të tjerët në këmbim të vlerave  e realizon vetveten dhe misionin për të cilin e ka krijuar Perëndia, theksoi Presidentja Jahjaga.Duke Ju uruar edhe njëherë këtë ditë të Madhe duke ju dëshiruar shëndet, e suksese të kujtojmë se toleranca e mirëkuptimi janë vlera mbi të cilat ndërtohet dhe funksionon shoqëria, theksoi Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga gjatë vizitës në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës. Nga ana e tij, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava falënderoi Presidenten Atifete Jahjaga për vizitën, duke theksuar bashkëpunimin e mirë me këtë institucion, dhe duke i dëshiruar asaj sukses në detyrat e saj të rëndësishme shtetërore.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.