Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti në takim kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë Evgeni Tanchev, i shoqëruar nga delegacionet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të Bullgarisë.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë zotëri Evgeni Tanchev e vlerësoi të dobishme vizitën në Kosovë dhe bashkëpunimin në fushën e drejtësisë ndërmjet dy vendeve. Ai tha se Bullgaria dhe Kosova ndajnë vlerat e përbashkëta evropiane në fusha të ndryshme dhe në veçanti në fushën e drejtësisë. Z. Tanchev tha se Gjykata Kushtetuese luan një rol të rëndësishëm dhe rruga drejt një demokracie kushtetuese është synim parësor i një shoqërie. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga tha se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve në fushën e drejtësisë është i rëndësishëm dhe i dobishëm. Ajo e vlerësoi punën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të gjykatësve ndërkombëtarë, që kanë sjellë përvojat nga vendet e tyre. Presidentja Jahjaga tha se është me rëndësi puna e Gjykatës Kushtetuese dhe vlerësoi rëndësinë e paanshmërisë së sistemit të drejtësisë në Kosovë. Ajo tha sistemi gjyqësor, së bashku me institucionet e tjera të drejtësisë, janë shtylla kryesore të shtetit dhe të sistemit demokratik.