Në lidhje me shkrimet në media dhe me deklarimet në publik të disa subjekteve politike se Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka rekomanduar ose ka marrë iniciativën për ndërrimin e ambasadorëve aktualë dhe emërimin e ambasadorëve të rinj, sqarojmë opinionin se Presidentja ka respektuar dhe do të respektojë të gjitha procedurat ligjore dhe kushtetuese.
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, deri sot nuk është e përfshirë në përzgjedhjen dhe në emërimin e ambasadorëve të rinj dhe as në shkarkimin e tyre apo ndërrimin e vendeve të ambasadorëve aktualë. Ligji përcakton që Presidentja i merr rekomandimet e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, pasi ai ta ketë përfunduar punën në propozimet konkrete, që i dërgohen Komisionit nga Ministria e Punëve të Jashtme. Presidentja Jahjaga i merr propozimet me shkrim për emërimin e ambasadorëve të rinj nga Kryeministri i Republikës së Kosovës. Në Zyrën e Presidentes së Republikës deri tash nuk ka ardhur asnjë shkresë zyrtare për këtë çështje. Dokumenti për emërimin e ambasadorëve jorezidentë nga ana e Presidentes në shtetet e caktuara, që e prezantoi në publik Lëvizja Vetëvendosje, ka të bëjë me procedurat e rregullta të emërimit të ambasadorëve fuqiplotë të Republikës së Kosovës në shtetet përkatëse për ambasadorë jorezidentë në shtetet e caktuara, sipas propozimit të ministrit të Punëve të Jashtme. Deri tani kjo është bërë me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Britaninë e Madhe, zotëri Muhamet Hamitin, i cili është emëruar ambasador jorezident në Republikën e Irlandës; me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Gjermani, zotëri Vilson Mirditën, i emëruar ambasador jorezident në Mbretërinë e Danimarkës; me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Suedisë, zotëri Lulzim Pecin, i emëruar ambasador jorezident në Mbretërinë e Norvegjisë; dhe me ambasadorin e Republikës së Kosovës në SHBA, zotëri Avni Spahiun, i cili është emëruar ambasador jorezident në Kanada.