Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, mori pjesë sot në Akademinë solemne kushtuar heroit kombëtar Hasan Prishtina si dhe në zbulimin e shtatores së Hasan Prishtinës.
Në vijim, po e sjellim të plotë fjalën e Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga, mbajtur me këtë rast :Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së KosovësTë nderuar profesorë dhe studentë të Universitetit të PrishtinësTë nderuar pjesëmarrësNgritja e shtatores së Hasan Prishtinës, të këtij atdhetari, ideologu dhe organizatori të kryengritjeve për lirinë dhe pavarësinë e vendit, të politikanit, diplomatit dhe burrështetasit, të njeriut që e donte arsimin dhe përparimin e popullit, duke e dhënë pasurinë e tij për shkollat dhe për nxënësit shqiptarë, të njeriut që gjithë jetën jetoi në përpjekje dhe në veprimtari për ta bërë Shqipërinë dhe shqiptarët shtet dhe popull të lirë të Evropës, është sublime në këtë ditë të shënuar. Hasan Prishtinës dhe të gjithë veprimtarëve që nuk kursyen asgjë nga vetja për ta bërë lirinë dhe pavarësinë për popullin dhe vendin tonë, ua kemi për borxh t’i nderojmë dhe t’i kujtojmë, sepse kështu nderojmë veten, kështu nderojmë përpjekjet tona shekullore për liri dhe për shtet, sepse kështu ne respektojmë vlerat nëpërmjet të cilave ne sot jemi të lirë, të barabartë dhe të dinjitetshëm karshi popujve të tjerë të botës. Populli që kujton, nderon dhe respekton të kaluarën e ka edhe të ardhmen e sigurt sepse e di se nga po vjen dhe e ka të qartë se ku do të shkoj. Idealet e asnjë brezi atdhetarësh dhe veprimtarësh nuk u realizuan plotësisht sepse ata vepruan në kushtet dhe rrethanat e kohës. Sepse “ ne luftojmë dhe ndoshta nuk kemi me e gëzue lirinë, por ata që vijnë mbas neshë kanë me I gjetë shenjat tona”- do të thoshte Hasan Prishtina. Një e vërtetë që vlen edhe sot, sepse ndoshta ne nuk do t’i shijojnë frytet e punës dhe të përpjekjeve tona, por brezat që vijnë pas nesh do të ecin gjurmëve tona dhe për këtë do ta kenë më lehtë. Dita e 28 nëntorit, Dita e Flamurit, Dita e Lirisë dhe e Pavarësisë, njëherit është Dita e simbolit të rezistencave tona që nga Skënderbeu e deri tek Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Është kjo një ditë që të gjithëve na gjen të bashkuar, në atmosferën festive të krenarisë sonë kombëtare, në atmosferën kur e kthejmë kokën për të parë sakrificën dhe veprimtarinë e shumë brezave të bijve dhe të bijave më të mira të Kombit tonë, për të rivlerësuar veten edhe si individ edhe si kolektivitet, për të bërë hapin e sigurt përpara drejt synimeve tona strategjike të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në NATO- dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi popull dhe vend evropian që në mënyrë modeste, por të shënuar, i kemi dhënë civilizimit evropian të cilit i përkasim. Kombi shqiptar sot është I lirë kudo që jeton. Ne si asnjëherë më parë në histori e kemi rastin të punojmë, të veprojmë, të jetojmë duke pasur mundësinë dhe shanset e barabarta edhe si individ edhe si popull. Kjo nuk është vetëm një dhunti por kjo është një e arritur, në përpjekjet e të gjithë neve, por që para së gjithash e kemi falë angazhimeve shekullore të të gjithë atyre që asnjëherë nuk reshtën së punuari për atdheun, që në ditët tona përcaktohet në platformën Liri, Pavarësi, Demokraci. Republika e Kosovës tash e ka mundësinë që të nderoj të gjitha ata që ndër shekuj u angazhuan për Komb dhe për Shtet. Tash ne kemi mundësi që duke u frymëzuar nga gurra e lavdishme e popullit tonë të nderojmë e përkujtojmë Rilindasit tanë, të nderojmë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, të nderojmë përpjekjet dhe kryengritjet e popullit gjatë viteve 1905-1912, për çlirim dhe për krijimin e shtetit kombëtar ashtu si bënin edhe popujt e tjerë liridashës. Shqiptarët që më 1908 e zgjodhëm alfabetin latin, si një përcaktim evropian, duke e pasur vizionin e qartë të identitetit, të kulturës dhe të civilizimit si dhe të kahjes dhe përpjekjeve se në cilin drejtim duhet shkuar. Të nderuar pjesëmarrës Hasan Prishtina në gjithë veprimtarinë e vet na dëshmon se ai asnjë ditë nuk pushoi së punuari për atdheun, se ai asnjë ditë nuk pushoi së punuari për demokracinë, se ai asnjë ditë nuk pushoi së punuari për arsimimin dhe përparimin e përgjithshëm të popullit, se ai asnjë ditë nuk pushoi së angazhuari që populli dhe atdheu të kenë miq të fuqishëm ndërkombëtarë, para se gjithash Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Dhe një shtatore e shkëlqyeshme, një shtatore e mermertë do të ngrihet për Ju , pasi të kalojnë vitet, që ka me u lexue përpara botës së qytetnueme se një komb I tërë e ndjenë këtë për detyrë,” shkroi me largpamësi patrioti tjetër Luigj Gurakuqi për Hasan Prishtinën. Me ngritjen e kësaj shtatoreje pikërisht në këtë vend të rinisë dhe të dijes, ne duke nderuar kujtimin për të gjithë veprimtarët e çështjes kombëtare në të vërtetë nderojmë veten, sepse duke i pasur në mesin tonë ecim më lehtë bashkërisht drejt të ardhmes. Ju faleminderit!
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR