Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim një delegacion të Partisë Socialiste të Shqipërisë, të kryesuar nga kryetari i saj, zotëri Edi Rama.
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, zotëri Rama, e vlerësoi rolin institucional por edhe inkurajues që presidentja e Kosovës ka luajtur që nga fillimi i mandatit të saj. Ai tha se Kosova dhe Shqipëria po avancojnë në proceset integruese evropiane.Zotëri Rama tha se duhet realizuar aspiratën e brezave të rinj për integrime evropiane duke inkurajuar këtë proces nëpërmjet thellimit të reformave.Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, tha se vizita e tij në Kosovë realizohet pikërisht në Ditën e Flamurit si një simbolikë dhe me këtë rast i dhuroi Presidentes së Kosovës librin e tij “Kurban”. Presidentja e Republikës, zonja Atifete Jahjaga, vlerësoi të arriturat në Shqipëri dhe tha se demokracia parlamentare ka arritur sukses. Ajo tha se është e arritur që në Shqipëri ka përafrim me standardet dhe në parimet mbi të cilat duhet të ecë vendi dhe që të ardhmen e shohin në integrimet euroatlantike dhe në anëtarësimin në Bashkimin Evropian.Presidentja Jahjaga tha se është zgjedhur Presidente konsensuale dhe se ajo do të respektojë Kushtetutën dhe ligjin në secilin rast. Ajo tha se kështu i jep shembull parimit të sundimit të ligjit dhe të legalitetit. Presidentja Jahjaga tha se të gjithë po mësojmë nga përvojat tona dhe se tash marrëdhëniet ndërmjet subjekteve politike janë relaksuar, duke arritur konsensus në drejtimet themelore që është në interes të Kosovës dhe të qytetarëve.