Prishtinë,16 korrik 2007- Ekipi i Unitetit në takimin e sotëm diskutoi për çështjen e definimit të statusit politik të Kosovës, për një qasje të përbashkët në nxitimin e hapave të tjerë të nevojshëm që duhet të marrë Ekipi i Unitetit, bashkëpunimin me institucionet e tjera të Kosovës, për vizitën e ardhshme në Uashington, si dhe çështje të tjera të trajtuara edhe më parë.
Duke folur për çështjen e statusit Presidenti Sejdiu theksoi: “E kemi thënë gjithmonë dhe mbesim konsekuentë se Kosova nuk heq dorë nga vizioni i saj politik.Është me interes që të ketë një rezolutë mbështetëse të të gjithëve, e cila duhet ta mbështesë projektin e Presidentit Ahtisaari , Kosova nuk mund të jetë peng i vazhdueshëm, nëse dikush e bllokon vazhdimisht procesin.”, Por, vijoi ai, “është me rëndësi që të kërkohet edhe rruga alternative, në bashkëpunim me faktorët, të cilët e kanë mbështetur dhe e mbështesin Kosovën”.Presidenti Sejdiu e konsideroi shumë të rëndësishëm udhëtimin e Ekipi të Unitetit në Uashington dhe takimin që pritet të ndodhë me Sekretaren Amerikane të Shtetit, znj. Condoleezza Rice, dhe vijoi ”atje do të shkohet me një qëndrim të formësuar dhe do të kërkojmë shpejtimin e procesit në të gjitha nivelet e mundshme, si dhe nevojën e qartësimit të ecurive të mëtejshme”.Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me mundësinë e negociatave të reja, Presidenti Sejdiu tha: “Ne jemi në proces politik dhe do të vazhdojmë konsultimet e nevojshme, të cilat do ta shpejtojnë këtë proces në përmbyllje të sigurt”.