I nderuar President Sejdiu,
Ju falenderoj për letrën tuaj të urimeve.
Jam duke përcjellë për së afërmi procesin për statusin e Kosovës
Jam duke përcjellë për së afërmi procesin për statusin e Kosovës dhe mund t’ju siguroj se Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme për statusin e Kosovës bazuar në propozimin e të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara, Ahtisaari, për pavarësinë e mbikëqyrur nga bashkësia ndërkombëtare. Ne mbesim të bindur se kjo është mënyra më e mirë për të siguruar një të ardhme më të mirë, më të sigurt, dhe me prosperitet për të gjithë ata që e quajnë Kosovën shtëpinë e tyre. Ky proces është duke zgjatur më shumë sesa kemi dashur dhe shumë mirë i kuptoj frustrimet në Kosovë. Mbretëria e Bashkuar po punon intensivisht me partnerët tanë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në Bashkimin Evropian dhe në NATO për të arritur një marrëveshje për mënyrën e implementimit të propozimeve të të Dërguarit të Posaçëm të OKB-së.Kjo nuk është një detyrë e lehtë. Megjithatë, jam i sigurt se do ta arrijmë këtë. Ndërkohë, është me rëndësi që të mbesim të fokusuar në arritjen e rezultatit të drejtë dhe të mbështetjes ndërkombëtare për këtë rezultat. Kjo do të thotë që liderët politikë të Kosovës duhet të bashkëpunojnë për së afërmi me partnerët tuaj ndërkombëtarë, sepse së bashku do të gjejmë një rrugë për ta vënë në zbatim atë që ka rekomanduar Presidenti Ahtisaari. Jam krenar për angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë. Pa hezitime ju siguroj se Mbretëria e Bashkuar do të mbesë fuqimisht e përkushtuar për propozimet e Ahtisaarit, duke mbështetur krijimin e një Kosove të re bazuar në parimet e demokracisë dhe sundimit të ligjit, me një të ardhme të sigurt në Evropë dhe në aleancën transatlantike. Juaji sinqerisht,Gordon Brown