presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani: Personat me sindromën Down janë potencial i jashtëzakonshëm dhe duhet të mbështeten në çdo segment

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në Ditën Botërore të Sindromës Down ka pritur në kabinet një grup fëmijësh me Sindromën Down, me të cilët kanë bërë një kartolinë me 21 dëshirat e tyre në mbështetje të fushatës “Një kartolinë për ty”.

Më pas, Presidentja Osmani, bashkë me fëmijët, prindërit dhe qytetarët ka marrë pjesë në marshin me titull “Ec me Këpucët e Mia”, kushtuar fëmijëve më Sindromën Down.

Presidentja Osmani ka thënë se është me rëndësi që sot këtij marshi i janë bashkuar shumë qytetarë, duke treguar kështu që niveli i vetëdijesimit në shoqërinë tonë po ngritët rreth potencialit që e kanë të gjithë fëmijët tanë pa dallim. “Prandaj, në radhë të parë si institucione, por në radhë të dytë si shoqëri, por edhe si individ duhet ta kuptojmë se personat me sindromin Down, e sidomos fëmijët tanë që sot janë këtu, e shumë të tjerë që nuk janë sot këtu në Prishtinë, janë një potencial i jashtëzakonshëm për shoqërinë tonë i cili duhet të mbështetet në çdo segment dhe në çdo fazë të jetës së tyre. Sepse, ajo çka na dhurojnë është shumë më shumë dashuri, shumë më shumë ngjyra në jetën tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani.
 
Sipas Presidentes Osmani, është e domosdoshme që të gjitha kushtet për të cilat ata kanë nevojë t’i ofrojmë si institucione. “Natyrisht, që jemi në hapat e parë dhe kërkohet edhe shumë më shumë punë, por do të bëjmë gjithçka që është në duart tona, gjithçka që është në kompetencat tona në mënyrë që secili anëtarë i shoqërisë tonë të ndihet i barabartë, të ndihet i përmbushur dhe të ndihet i gatshëm që edhe t’i ofrojë shoqërisë tonë potencialin e vet”, ka pohuar Presidentja.
 
E para e vendit më tej ka thënë se gjithsecili prej nesh ua kemi borxh që të punojmë bashkërisht, dhe përveç gjithëpërfshirjes, përveç bashkëpunimit, ta kuptojmë edhe se si është të ecim në këpucët e tyre. “Ne kaluam një ditë shumë të bukur, shumë nga këta fëmijë që po i shihni shkëlqejnë në fusha të ndryshme nga sporti deri te muzika. Prandaj, gjithsecili prej nesh ua kemi borxh që të punojmë bashkërisht, dhe përveç gjithëpërfshirjes, përveç bashkëpunimit, ta kuptojmë edhe se si është të ecim në këpucët e tyre, në një shoqëri që fatkeqësisht deri tani nuk iu ka ofruar trajtim të barabartë. Pra, ta marrim këtë si obligim moral e njerëzor gjithsecili prej nesh, në radhë të parë si individ, pastaj edhe si kolektiv, si shoqëri e si institucione”, ka thënë Presidentja.
 
Ndërkaq, drejtoresha e shoqatës “Down Sindrom”, Sebahate Hajdini Beqiri, ka falënderuar Presidenten për mbështetjen.

“Besojmë që çdo ditë do të jeni me ne Ju dhe të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse personat me Sindromën Down kanë nevojë për mbështetje, kanë nevojë për mbështetje dhe realizimin e të drejtave të tyre në të gjitha fushat e jetës. Sepse, komuniteti, personat në këtë rast me Sindromën Down dhe familjarët e tyre çdo ditë ballafaqohen me sfida të ndryshme. Mirëpo, mbështetja e Presidentes në fushatën tonë dhe gjithë përfaqësuesit tjerë na motivojnë dhe na japin shpresa që të drejtat e personave me Sindromën Down do të jenë prioritet i institucioneve tona të vendit”, ka thënë Hajdini Beqiri.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.