DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani: Para qytetarëve afganë treguam se i kemi hapur jo vetëm dyert por edhe zemrat tona

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj dhe me ambasadorët e Kuintit, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” kanë mirëpritur grupin e parë të afganëve që kanë mbërritur sonte në Kosovë.

Presidentja Osmani tha se mirëpritën grupin e parë të qytetarëve të Afganistanit të cilët ishin punëtorë ose kontraktorë të aleatëve tanë, të NATO-s dhe të cilët kanë nevojë për mbrojtje më shumë se sa kurrë.
 
“Ne sot, para të gjithë atyre treguam se i kemi hapur jo vetëm dyert, por edhe zemrat tona, sepse si njerëz që kemi qenë viktima të një pushteti gjenocidal e kuptojmë shumë mirë se çka do të thotë që të detyrohesh të largohesh nga shtëpia jote. Prandaj, ne jemi krenarë që qëndrojmë pranë partnerëve tanë dhe kontribuojmë në një përpjekje të të gjithë këtyre partnerëve nga Shtetet e Bashkuara deri te shteti i fundit i NATO-s, në mënyrë që kjo tragjedi njerëzore të pakësohet dhe që ata që vijnë këtu në Kosovë të ndihen që më në fund janë të sigurt”, ka thënë Presidentja Osmani.
 
Ndërkaq, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se refugjatëve afganë të cilët sigurisht që janë të dëshpëruar që janë detyruar që t’i lëshojnë shtëpitë e tyre, ta lëshojnë atdheun e tyre iu dëshiruam mirëseardhje, iu thamë që janë mysafirë tanë dhe këtu janë të sigurt.
 
“Është nder për neve, është nder për mua që kemi mundësinë t’i ndihmojmë këta refugjatë të cilët sikurse gjithë popujt dhe qytetarët tjerë në botë e meritojnë të kenë të drejta dhe liri. Kur është në pyetje një çështje humanitare, kur është puna te partnerët dhe aleatët tanë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja, atëherë nuk bëhet pyetja pse, por ne themi vetëm si? Pra, të gjitha çështjet që i diskutojmë janë vetëm të natyrës teknike e logjistike, se si këta refugjatë të kalojnë sa më lehtë në vijim pas një konflikti që e lanë pas në atdheun e tyre. Me këtë rast e falënderojmë edhe NATO-n edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për komunikimin dhe bashkëpunimin e ngushtë deri në këtë ditë në mënyrë që t’i mirëpresim këta refugjatë të cilët po i ndihmojmë së bashku. Para më shumë se 22 viteve NATO-ja bëri ndërhyrje humanitare në Kosovë për ta ndërprerë gjenocidin e Serbisë, dhe tash ne krah për krah me NATO-n ndihmojmë refugjatë të tjerë të cilët kanë nevojë për mbështetjen tonë”, ka thënë kryeministri Kurti.  
 
Ai më tej ka thënë se bashkë me Presidenten e Republikës, zonjën Vjosa Osmani, ministrin e Brendshëm z. Xhelal Sveçlën gjatë këtyre javëve të fundit kanë bashkëpunuar ngushtë në mënyrë që gjithçka të shkojë siç është më së miri për refugjatët që erdhën e do të vijnë dhe për vendin tonë mikpritës për ta.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.