presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja: Asnjë çështje nuk është më prioritare në procesin e dialogut me Serbinë sesa kthimi i më të dashurve tanë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe me familjarët e personave të zhdukur me dhunë, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me dhunë kanë vendosur kurorë lulesh pranë memorialit për personat e pagjetur.

Presidentja Osmani ka thënë se ata do t’i mungojnë jo vetëm shpirtit të gjithsecilit prej nesh, por shpirtit të një shteti të tërë, shpirtit të një kombi të tërë.

“Fati i tyre bëhet edhe shumë më tragjik, kur dihet që janë në duart e shtetit serb, një shteti që ka ushtruar gjenocid ndaj popullit të Kosovës e që fatkeqësisht ende nuk po distancohet nga kjo e kaluar e tmerrshme dhe nga krimet që ka kryer ndaj popullit tonë. Por, duke e ditur që të zhdukurit me dhunë janë plaga jonë më e thellë, janë ndër plagët më të mëdha të Kosovës së pasluftës kjo i bën përpjekjet tona shumëfish më të mëdha për të zbardhur fatin e tyre, për të kërkuar përgjegjësi nga Serbia dhe për t’u siguruar që asnjë çështje nuk është më prioritare në procesin e dialogut me Serbinë sesa kthimi i më të dashurve tanë”, ka thënë Presidentja Osmani. 

Ajo më tej ka theksuar se asnjë dhimbje nuk është më e madhe, rrjedhimisht asnjë çështje nuk mund të jetë asnjëherë prioritet më i madh.

“Dhimbja nuk është vetëm e familjarëve, ata siç e kam thënë gjithmonë janë edhe familjarët tanë, janë njerëzit tanë, janë motrat e vëllezërit tona, janë bijtë e bijat tona. Prandaj, dhimbjen e kemi të përbashkët dhe vetëm bashkë mund ta përballojmë e vetëm bashkë mund të kërkojmë përgjegjësi nga shteti i cili i ka zhdukur ata me dhunë”, ka theksuar Presidentja. 

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti ka thënë se në raportet tona me Serbinë çështja e të zhdukurve me dhunë është kryefjalë dhe ne nuk mund të pretendojmë që të kemi as të ardhme të qëndrueshme  e të sigurt, nëse nuk adresojmë çështjet e së kaluarës, nëse nuk e trajtojmë dhe nuk  e sqarojmë të kaluarën.

“Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën dhe unë bëj thirrje që në të gjitha tryezat e ndryshme që organizohen në arenën ndërkombëtare, nga Serbia pikësëpari të kërkohet hapja e arkivave. Meqenëse, vrasja e shqiptarëve në pranverën e vitit ’99 por edhe më herët në vitin ’98 e kështu me radhë, pastaj varrosja e tyre, zhvarrosja e tyre në Kosovë, bartja e kufomave nëpër varreza masive në Serbi dhe zhvarrimi prej atje mandej gjithçka është bërë jo nga qytetarët e thjeshtë e të zakonshëm, por nga aparati shtetëror. Andaj, hapja e arkivave shtetërore në Serbi është përgjigja për zbardhjen e fatit të pagjeturve. Ne si krerë të institucioneve do të jemi pranë familjarëve dhe gjithmonë do ta kemi prioritet këtë çështje”, ka thënë kryeministri Kurti. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.