Me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, sot është pritur me nderimet më të larta shtetërore për vizitë zyrtare, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Presidentja Osmani e ka vlerësuar vizitën e parë të presidentit Gjukanoviq në Kosovë si dëshmi shtesë e përkushtimit të përbashkët drejt avancimit tutje të raporteve të mira në mes të dy vendeve dhe popujve. Të dy presidentët kanë diskutuar për zhvillimet në Evropë pas agresionit rus kundër Ukrainës, angazhimin për bashkëpunim rajonal në frymën e barazisë dhe gjithëpërfshirjes, rëndësinë e integrimit të vendeve të rajonit në strukturat euro-atlantike, forcimin e pozitës së Kosovës në skenën ndërkombëtare, si dhe për angazhimin drejt promovimit të të drejtave të komuniteteve pakicë në të dyja shtetet.
Në konferencën e përbashkët për media, Presidentja Osmani ka falënderuar presidentin Gjukanoviq për kontributin e tij të rëndësishëm në njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe përkushtimit për të thelluar bashkëpunimin ekonomik, për të ardhmen e përbashkët në strukturat euro-atlantike dhe për të garantuar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.
Në këtë frymë, Presidentja Osmani i ka kërkuar mbështetje presidentit Gjukanoviq edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në NATO, duke filluar nga Partneriteti për Paqe. “Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ka shërbyer vetëm në forcimin e sigurisë në rajonin tonë, prandaj anëtarësimi i Kosovës do duhej gjithnjë të shihej nga ky prizëm”, tha Presidentja Osmani.
Presidentja ka theksuar se kjo vizitë do t’i japë jehonë forcimit të bashkëpunimit dypalësh drejt përmbushjes së objektivave të përbashkëta, për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon dhe të ardhme evropiane.
Ndërkaq Presidenti Gjukanoviq ka përmendur mbështetjen e Malit të Zi për agjendën evropiane të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës. Duke përmendur rëndësinë e Këshillit për garantimin e respektimit të të drejtave të njeriut, Presidenti theksoi se ky proces është pozitiv jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate.