presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani ka vizituar sot komunën e Pejës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në kuadër të ciklit të vizitave nëpër komuna të vendit, ka vizituar sot komunën e Pejës, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri.

Pas takimit, Presidentja Osmani dhe kryetari Muhaxheri, kanë zhvilluar një varg aktivitetesh.

Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:

Sot ishim në Pejë në kuadër të ciklit të vizitave nëpër komuna. Ky qytet është ndër pikat turistike më të vizituara në nivel vendi, ndaj me kryetarin Gazmend Muhaxheri diskutuam për kapacitetet aktuale që ofron kjo komunë dhe mundësitë e mbështetjes nga niveli qendror.

Pastaj së bashku vizituam shkollën “8 marsi”, dhe ekspozitën e fëmijëve me nevoja të veçanta, për nder të ditës ndërkombëtare të fëmijëve.

Për të ripërtërirë edhe më tej miqësinë në mes Kosovës e Australisë, bashkë me të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Australisë, z.Andrea Biggi, si dhe përfaqësuese të organizatave të grave, mbollëm pemën manuka në Kosovë. Pastaj vizitova shkollën profesionale të deminimit MAT Kosova, në të cilën aktualisht po vijojnë trajnimin e asgjësimit të minave dhe menaxhimit të rrezikut të eksplozivëve, shtatë gra dhe 5 burra ukrainas.

Impresionues vullneti dhe pasioni i këtyre burrave e grave, të cilët pas trajnimit do ta kenë për synim pastrimin e Ukrainës nga minat dhe municioni i pashpërthyer, duke ofruar një mjedis të sigurt për bashkëkombësit e tyre.

Ndërkaq në takim me përfaqësueset e organizatat e grave, përfshi përfaqësuese të komunitetit serb, diskutuam lidhur me rëndësinë e fuqizimit ekonomik të gruas, angazhimin dhe vendosmërinë për të drejta të barabarta. Ndërkaq në vizitë strehimores për viktimat e dhunës në familje, ritheksuam rëndësinë e luftimit të këtij fenomeni të tmerrshëm në shoqërinë tonë.

Gjatë vizitës në Pejë, takuam edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare të komuniteteve joshumicë në fshatin Vitomiricë, me të cilët bisedova për angazhimin, sfidat, nevojat dhe përfshirjen institucionale.

Vizitën në Pejë e mbylla te biznesi i familjes Bajrakatari në Radavcin mahnitës, e cila merret me kultivimin e mjedrave dhe dredhëzave. Rrëfimi i suksesshëm i këtij biznesi është frymëzim për secilin dhe njëherësh dëshmi për begatitë që ofron toka e Kosovës.

Shihemi në komunën e radhës!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.