Tiranë, 2 qershor 2022 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e varrimit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani.
Presidentja Osmani ka thënë se në emër të qytetarëve të Kosovës u përkulëm para arkëmortit të Presidentit, shtetarit të paepur, njeriut të urtë e dinjitar, qytetarit të ndershëm e atdhetarit të përkushtuar.
“Ai u angazhua tërë jetën për shtetin e kombin shqiptar. Si President i Shqipërisë, ai u kujdes gjithnjë që Kosova të mbahet lart në agjendën e tij shtetërore”, ka thënë Presidentja Osmani.
Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:
Sot ia dhamë lamtumirën e fundit ish-Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishanit, i cili u nda nga jeta ditë më parë.
Në emër të qytetarëve të Kosovës u përkulëm para arkëmortit të Presidentit, shtetarit të paepur, njeriut të urtë e dinjitar, qytetarit të ndershëm e atdhetarit të përkushtuar.
Ai u angazhua tërë jetën për shtetin e kombin shqiptar. Si President i Shqipërisë, ai u kujdes gjithnjë që Kosova të mbahet lart në agjendën e tij shtetërore.
Populli i Kosovës dhe institucionet e saj do ta kujtojnë përherë me mirënjohje të thellë.
I përjetshëm kujtimi për Presidentin Nishani!