DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani ka uruar presidentin Zelenskyy për Ditën e Pavarësisë së Ukrainës: Ka pak kombe që i sinqerisht i kuptojnë vuajtjet e vendit tuaj dhe në mesin e tyre është edhe populli i Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu ka uruar presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, për Ditën e Pavarësisë së Ukrainës.

“Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, ju shpreh urimet më të mira për Ditën e Pavarësisë së Ukrainës. Ky rast i veçantë normalisht do të ishte shënuar me festime të lavdishme në të gjithë vendin tuaj të bukur, por derisa përballeni me këtë luftë të padrejtë dhe të paprovokuar me Rusinë, ne qëndrojmë me ju në solidaritet të plotë, përkrah gjithë botës demokratike, përderisa ju luftoni që paqja dhe liria të mbizotërojnë”, ka thënë Presidentja Osmani.
 

Në vijim, gjeni të plotë urimin e Presidentes Osmani për presidentin Zelenskyy:

 
24 gusht 2022

Prishtinë, Republika e Kosovës

 
SH.T. Z.  Vollodimir Zelenski (Volodymyr Zelenskyy)

President i Ukrainës

 
I nderuar President Zelenski,

në emër të popullit të Republikës së Kosovës, ju shpreh urimet më të mira për Ditën e Pavarësisë së Ukrainës. Ky rast i veçantë normalisht do të ishte shënuar me festime të lavdishme në të gjithë vendin tuaj të bukur, por derisa përballeni me këtë luftë të padrejtë dhe të paprovokuar me Rusinë, ne qëndrojmë me ju në solidaritet të plotë, përkrah gjithë botës demokratike, përderisa ju luftoni që paqja dhe liria të mbizotërojnë.

Në këtë ditë historike për vendin tuaj, ju uroj juve dhe popullit të trim të Ukrainës forcë të qëndrueshme për të vazhduar mbrojtjen e vendit që e doni dhe e vlerësoni aq thellë, si dhe vlerat demokratike në të cilat ne bashkërisht thellësisht besojmë. Ne ndajmë dhimbjen e popullit tuaj të cilët po përjetojnë vuajtje të paimagjinueshme nga duart e një regjimi gjenocidal dhe në mendjet tona jemi me familjet anembanë Ukrainës.

Zoti President, ka pak kombe që i sinqerisht i kuptojnë vuajtjet e vendit tuaj dhe në mesin e tyre është edhe populli i Kosovës. Ne e dimë se si ndihet të jesh në cak të një regjimi gjenocidal dhe hegjemonist, dhuna e të cilit është njëkohësisht brutale dhe jodiskriminuese, i cili nuk ka respekt për dinjitetin njerëzor apo për të drejtën e vendit tuaj për të ekzistuar. Por, edhe populli im e di se kur ka vendosmëri, këmbëngulje dhe rezistence, nuk ka asgjë që mund të pengojë vullnetin e një populli për liri.

Populli i Kosovës do t'u qëndrojë mirënjohës ushtarëve ukrainas që morën pjesë në misionin paqeruajtës në Kosovë, për të cilin së fundi u ndava Medaljen Ushtarake Presidenciale. Në këtë frymë, sot jemi të gatshëm t'ju mbështesim me çdo kapacitet që mundemi dhe kemi vendosur menjëherë sanksione ndaj Rusisë. Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar për thellimin e mëtejshëm të lidhjes sonë të miqësisë dhe të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë.

Kam besim se një ditë do të ulemi të barabartë në familjen evropiane, jo vetëm duke bashkëjetuar në paqe, por duke përparuar në liri, prosperitet dhe demokraci. Ne jemi me ju me shpirt, ne jemi me ju në veprim dhe do të jemi me ju deri në fitoren e  Ukrainës.

Ju lutem pranoni, Shkëlqesia Juaj, konsideratat e mia më të larta për ju dhe vendin tuaj.

Sinqerisht,
 

Vjosa Osmani Sadriu

Presidente e Republikës së Kosovës

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.