Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e 32 vjetorit të Kushtetutës së Kaçanikut, ka thënë se themelet e shtetësisë së Kosovës janë vënë tridhjetë e dy më parë, me miratimin e kësaj Kushtetute.
Presidentja Osmani ka thënë se me miratimin e kësaj deklarate, i janë vënë themelet e palëkundura të Kosovës së pavarur.
Në vijim gjeni postimin e Presidentes Osmani:
32 vjet më parë, gra e burra përfaqësues, me guximin qytetar e vetëdije kombëtare, e miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, e cila shënon aktin e parë në krijimin e rendit kushtetues të Kosovës dhe i fortifikon përpjekjet e brezave të tërë për shtet të pavarur.
Përfaqësuesit e atëhershëm të Kuvendit, më 7 shtator 1990 i dolën zot vendit dhe e përjetësuan në Kushtetutë vullnetin e qytetarëve të cilët i përfaqësonin, duke e vulosur përfundimisht përpjekjen për liri, demokraci e shtet të pavarur. Ata e sfiduan një shtet e një regjim të egër, duke i vënë themelet e palëkundura të Kosovës së pavarur.
Sot, 32 vjet më pas, teksa e kujtojmë këtë datë historike, ne i përulemi guximit të delegateve e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, përkushtimit të tyre ndaj atdheut dhe këmbënguljes për ta parë të jetësuar shtetin e tyre. Duke e miratuar Kushtetutën, ata e vendosën gurin e parë, themeltar, të shtetësisë sonë. Me të nisi krijimi i identitetit kushtetues e shtetëror të Republikës së Kosovës.
Përjetësisht mirënjohës për këtë akt historik!