presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani: Gëzuar Dita e Flamurit, urime dita e Pavarësisë së Shqipërisë!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar shqiptarët në 109- vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Presidentja Osmani ka thënë se më 28 nëntor të vitit 1912, populli shqiptar e kurorëzoi aspiratën për  Shqipërinë e pavarur.

“Ky akt së bashku me ngritjen e flamurit në Vlorë janë akte të shenjta të historisë sonë të përbashkët, të cilën e ndërtuam me mund dhe sakrifica”, ka theksuar Presidentja.
 
Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:
 
Më 28 nëntor të vitit 1912, populli shqiptar e kurorëzoi aspiratën për  Shqipërinë e pavarur. Ky akt së bashku me ngritjen e flamurit në Vlorë janë akte të shenjta të historisë sonë të përbashkët, të cilën e ndërtuam me mund dhe sakrifica.

Kjo datë ka shumë peshë historike. Në këtë ditë ka lindur komandanti legjendar Adem Jashari dhe po në këtë ditë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u paraqit për herë të parë publikisht. Të dy këto ngjarje i japin edhe më shumë kuptim nëntorit, sepse bartin në vete frymën e lirisë, idealin e brezave që nga Skënderbeu, Ismail Qemajli, Isa Boletini e shumë patriotë të tjerë.

Në 109- vjetorin e pavarësisë, uroj që Shqipëria krahas Kosovës të ketë sukses në të gjitha fushat! Kosova do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë në të mirë të interesit të përbashkët, duke thelluar më tej lidhjet tona ndërmjet motrave e vëllezërve, sikurse edhe ato strategjike!
 
Gëzuar Dita e Flamurit, urime dita e Pavarësisë së Shqipërisë!
Zoti i bekoftë Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.