presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja: I uroj të gjithë shqiptarët për këtë festë të rëndësishme duke shpresuar që një e ardhme e ndritur e pret edhe Republikën e Shqipërisë edhe Republikën e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe me kabinetin qeveritar, me rastin e 28 nëntorit kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurorë lulesh në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Presidentja Osmani ka thënë se jemi sot këtu me 28 nëntor për të nderuar sakrificën e brezave të shumtë e cila kulmoi me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, por vazhdoi edhe me shumë e shumë sakrifica të shqiptarëve gjithandej për liri.
 
“Prandaj, edhe sot e filluam ditën tek komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari për të nderuar sakrificën e tyre, sepse 28 nëntori përveç simbolikes së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe rëndësisë historike të ngritjes së flamurit është edhe datë kur ka lindur komandanti legjendar Adem Jashari, është edhe data kur për herë të parë ka dalur publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të gjitha këto i japin kuptim edhe shumë më të madh festave të Nëntorit”, ka thënë Presidentja.
 
Presidentja i ka uruar të gjithë shqiptarët gjithandej për këtë festë të rëndësishme, “Duke nderuar sakrificën e të gjithë atyre që dhanë jetën e mundin për lirinë tonë, dua që sot t’i uroj të gjithë shqiptarët gjithandej për këtë festë të rëndësishme tonën për këtë festë të rëndësishme të përbashkët duke shpresuar që një e ardhme e ndritur e pret edhe Republikën e Shqipërisë edhe Republikën e Kosovës”, ka theksuar Presidentja.
 
Gjatë ditës së sotme Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurorë lulesh edhe te shtatorja e Ismail Qemalit, te shtatorja e Zahir Pajazitit, te varri i ish-presidentit Dr. Ibrahim Rugova si dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.