Për kontributin e dhënë në KFOR, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu, ka dekoruar kontigjentin ukrainas me Medaljen Presidenciale Ushtarake, i cili e përmbylli shërbimin e tij njëzet e tre vjeçar në Kosovë për t'u rikthyer në Ukrainë për të mbrojtur vendin e tyre.
Në fjalimin e saj, Presidentja Osmani theksoi solidaritetin e popullit të Kosovës me popullin e Ukrainës të cilët janë duke u përballur me këtë agresion ndaj lirisë dhe vlerave të tyre demokratike.
“Medalja e sotme është një mishërim i mirënjohjes sonë ndaj ushtrisë suaj, si dhe mënyra jonë për të respektuar profesionalizmin që ata kanë shfaqur në Kosovë dhe trimërinë që po shfaqin gjatë kësaj kohe të errët për kombin ukrainas”, ka theksuar Presidentja Osmani.
1400 ushtarë ukrainas kanë shërbyer në Kosovë që nga viti 1999 duke kontribuar për paqe dhe siguri. Kontigjenti i mbetur prej 40 trupash nga Regjimentet Inxhinierike të Forcave të Armatosura do të kthehet në Ukrainë.
Kosova i është bashkuar aleatëve demokratikë në mbarë botën për të dënuar dhe sanksionuar Rusinë për agresionin e pajustifikuar dhe të paprovokuar ndaj Ukrainës. Në përpjekjet e saj për të mbështetur ukrainasit në këto kohë të vështira, Kosova gjithashtu është zotuar të pranojë 5000 refugjatë dhe do të mbështesë 20 gazetarë ukrainas që të punojnë në distancë nga Kosova.