DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Osmani në Javën e Gruas, me temën “Në mbrojtje të demokracisë: Gjithpërfshirja ka rëndësi”

Shumë të nderuar të pranishëm,
I nderuar z. Kryeministër Kurti,
E nderuara zëvendëskryeministre,
Të nderuar kryetar të partive politike,
Përfaqësues të organizatave ndërkombëtare,
I nderuar Ambasador Hovenier,
Ambasadore Soderberg,
Të nderuar kryetarë të komunave, deputete dhe deputetë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të gjithë ju pjesëmarrës,

I gëzohem kësaj dite dhe bashkimit të forcave me NDI dhe të gjithë ju për të organizuar konferencën e fillimit të edicionit të sivjetmë të Javës së Gruas.

Më kujtohet qysh fillimi i organizimit të Javës së Gruas, e iniciuar nga shumë e nderuara ish-sekretarja e shtetit zonja Ollbrajt, bashkë me grupin e grave të Deputetëve të Kuvendit të Kosovës, dhe që nga atëherë Java e Gruas është një prej aktiviteteve që më ka përcjellur përgjatë një pjese të madhe të karrierës sime politike. Po aq sa jam munduar unë të ndaj nga jeta dhe përvoja ime politike me pjesëmarrëset në edicion pas edicioni, po kaq shumë kam mësuar e jam pasuruar nëpërmjet përvojave, historive e përjetimeve të grave dhe vajzave e pjesëmarrësve të tjerë që kanë qenë pjesë e Javës së Gruas.

E përbashkëta e këtyre përjetimeve, mësimeve e shkëmbimit të përvojave tona na shpie te një konkludim, ajo është që: demokracia kurrë nuk është një projekt i përfunduar. Ajo që e dimë sigurisht është që demokracia është niveli më i lartë i organizimit të mirëfilltë, të barabartë, dinjitoz e gjithëpërfshirës politik, social e ekonomik. Por, e dimë po kaq mirë që kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit, koordinimit, komunikimit e investimit të vazhdueshëm në rritjen e nivelit të demokracisë, ruajtjes, promovimit dhe përhapjes së saj.

Në mars të vitit 2021, në takimin e Komisionit të Kombeve të Bashkuara për Statusin e Grave, zv. Presidentja Amerikane Kamala Harris tha:

“Statusi i gruas në shoqëri tregon statusin e demokracisë. Statusi i demokracisë gjithashtu varet rrënjësisht nga fuqizimi i grave, jo vetëm sepse përjashtimi i grave nga vendimmarrja është një indikator i një demokracie me të meta, por edhe sepse pjesëmarrja e grave e forcon demokracinë.”

Dhe nuk ka se si të thuhej më mirë e më qartë. Demokracia mund të quhet vërtetë demokraci e mirëfilltë vetëm atëherë kur secili zë dëgjohet, kur askush nuk lihet pas, kur individ e grupe të caktuara të shoqërisë nuk përjashtohen, kur të gjithë luajmë e veprojmë ne terren të barabartë, e kur gratë dhe burrat janë vërtetë të barabartë. Vetëm një demokraci gjthpërfshirëse është realisht një demokraci e qëndrueshme.

E që t’ia dalësh në këtë drejtim, atëherë duhet vërtetë të besosh. Por as të të besuarit nuk mjafton në vetvete nëse nuk punohet me zell e me ngulm në këtë drejtim. Prandaj, jam e lumtur të jem sot këtu sepse e di që secila e secili prej jush jo vetëm se besoni por edhe punoni çdo ditë, secili në mënyrën e vet, në këtë drejtim.

Të përfaqësosh Republikën e Kosovës në Samitin për Demokraci ishte realisht një detyrë e lehtë. Sepse, përfaqësoja një ndër demokracitë më dinamike në Evropë. Por, dua të sqaroj menjëherë se jam plotësisht e vetëdijshme se pavarësisht shenjave të qarta të progresit, ne kemi ende shumë punë për të bërë për të përmirësuar nivelin e demokracisë në vendin tonë. Por, kur je përfaqësuese e një vendi me popull kaq paqedashës dhe promovues të demokracisë, puna drejt përmbushjes së zotimeve të bëra bëhet realisht shumë më lehtë dhe më e përballueshme.

Gratë dhe vajzat nuk janë vetëm ajo pjesa tjetër e shoqërisë. Ato janë vet shoqëria. Gratë dhe vajzat kanë dëshmuar kaq shpesh e kaq sistematikisht që ato e bartin realisht barrën e zhvillimit ekonomik, të sfidave sociale, të paragjykimeve në politikë, të padrejtësive në tregun e punës, të pabarazive në ndarjen e pasurisë, të diskriminimeve të dyfishta brenda grupeve e komuniteteve të caktuara shoqërore, e çdo gjë tjetër.

Por, gratë dhe vajzat, po kaq shpesh kanë dëshmuar që gjithnjë ia dalin. E kur nuk u jepet mundësia për të shprehur shqetësimin, kërkesat apo mendimet e tyre, ato asnjëherë nuk dorëzohen. Do të ketë gjithnjë një zë që do të flas për to, do të ketë gjithnjë një karrige shtesë që mund të shtohet rreth tavolinës, e do të ketë gjithnjë një forum tjetër ku ato do ta gjejnë mënyrën që të shprehen.

E përderisa barazia gjinore nuk shihet si proces i natyrshëm, por gjithnjë si një përpjekje shtesë, gratë dhe vajzat s’do të rreshtin së përdoruri çdo mjet e hapësirë për të shprehur qëndrimet e tyre. Këtë ua kërkoj edhe të gjithave juve sot. Por, edhe të gjithë djemve e burrave që janë sot prezent. Bëhuni edhe ju mundësia e munguar për gratë dhe vajzat për t’ju siguruar atyre pjesëmarrjen e drejtë dhe të barabartë në shoqërinë tonë, në proceset vendimmarrëse, e në projektet zhvillimore.

Besoj se dëshmitë flasin vetë, por do ta them sërish këtu:  kur e përjashtojmë gjysmën e njerëzimit nga gjenerimi i ideve, i mendimeve, i vendimeve, ne e humbasim rastin për një botë, një shoqëri, dhe një demokraci me potencial transformues.

E fatkeqësisht, ajo që është më shqetësuese, është fakti se përjashtimi i grupeve të caktuara të shoqërisë, e në veçanti i grave dhe vajzave, shpesh nuk ndodh qëllimisht apo për arsye keqdashëse. Shpeshherë, shoqëria bie shpesh në kurthin e diskriminimit si pasojë e mungesës së të dhënave që prezantojnë dimensionin gjinor, si pasojë e mungesës së storieve të promovuara e të publikuara të vajzave dhe grave, si pasojë e mungesës së prezencës së tyre në kanale e programe televizive – pra me një fjalë, vjen si pasojë e mostregimit të historisë së grave dhe vajzave nëpërmjet të dhënave dhe tregimeve.

Andaj, po kaq sa janë të rëndësishme ngjarjet si Java e Gruas, ku ne i ndajmë historitë dhe përvojën tonë dhe të atyre që punojnë krah për krah me ne duke shpresuar që sadopak të inspirojmë vajza dhe gra të tjera të na bashkëngjitën në këtë rrugëtim, po kaq e rëndësishme është mbledhja, gjenerimi e publikimi i të dhënave gjinore për të garantuar barazinë dhe gjithpërfshirjen. Kjo sfidë nuk është vetëm e jona, por fitoren mund të fillojmë ta korrim gradualisht e ditë pas dite – duke filluar nga familjet tona, vendet e punës, lagjet në të cilat banojmë, qytetet në të cilat punojmë e kështu me radhë.

Demokracia ka nevojë për besim në të, po aq shumë sa ka nevojë për rregulla, për ligje e për politika, e të cilat do të mund të jenë të drejta vetëm kur ka të dhëna, rrjedhimisht statistika të ndara edhe për burrat edhe për gratë, si dhe për komunitetet e ndryshme në shoqëri. Andaj sot, përveç apelit për punën e përditshme për të sfiduar mendësinë përmes të shprehurit dhe shkrimit, apeloj po kaq shumë që të gjitha këto të bëhen duke u bazuar në shifra dhe të dhëna të dokumentuara. Demokracia ka nevojë për të dhëna gjinore, sepse vetëm në mënyrë të tillë ka gjasa të vërteta të bëhet vërtetë demokraci gjithpërfshirëse.

Të dashura vajza dhe gra,
Të nderuar të pranishëm,

Nuk mund të mbaj një fjalim para jush sot e mos të ndërlidhem me atë se çfarë po ngjanë në Ukrainë. Zhvillimet aktuale në Evropë po dëshmojnë se demokracia është vazhdimisht e rrezikuar. Zhvillimet aktuale në Evropë po dëshmojnë po ashtu, se apetitet e armiqve të demokracisë nuk njohin kufij dhe s’e kanë fare problem ta sfidojnë demokracinë në mënyrë aktive. Për ta, demokracia dhe përhapja e saj janë rreziku i drejtpërdrejt i mendësive dhe politikës së tyre autokrate, ekspansive, imperialiste e hegjemoniste. 

Kosova dhe populli ynë i kanë ende të freskëta kujtimet e luftës dhe sot zemrat tona rrahin fort përballë ekraneve televizive e telefonave gjersa shohim imazhet që vijnë nga qytetet dhe vendet e ndryshme në Ukrainë. Sikurse edhe në çdo luftë tjetër, ato që më së shumti vuajnë pasojat janë gratë dhe fëmijët. Andaj, sot, përderisa flasim për rëndësinë dhe punën që mund ta bëjmë së bashku për ruajtjen dhe promovimin e demokracisë në Kosovë, duhet po ashtu të rikujtojmë gjithnjë se vlerat demokratike dhe vendet demokratike do të triumfojnë vetëm kur në thelb të punës sonë qëndron bashkëpunimi, bashkërendimi dhe koordinimi.

Po aq sa është e rëndësishme gjithpërfshirja brenda kufijve të një shteti për mbrojtjen e demokracisë, po kaq është jetike integrimi, fuzionimi dhe koordinimi i veprimeve përtej kufijve tanë, pra me partnerët tanë në mënyrë që garantojmë dhe mbrojmë demokracinë në çdo cep të Evropës dhe të botës.

Vajza e gra të dashura,

Shumë nga ju tashmë e keni të qartë shijen e përfshirjes në politikë. E di që jo çdo herë ka qenë e lehtë. E di po ashtu se për disa nga ju që ende nuk e keni filluar këtë rrugëtim, hezitimet për angazhim aktiv mund të jenë ende të shumta.

Por, mos harroni se një gurë i larguar nga ju nga rruga është një gur më pak për ato vajza dhe gra që do të vijnë pas jush. Po ashtu, një dorëzim shtesë nga cilado nga ju, është një motiv më pak për ato që do të vijnë pas jush. Prandaj, secila e kemi barrën që ta bëjmë ndryshimin për të garantuar gjithpërfshirjen.

Por po kaq, kemi nevojë për secilin burrë dhe djalë në këtë dhomë, e përtej kësaj dhome në shtëpi, në punë e kudo gjetkë. Jo se nuk ia dalim vetë, por sepse së bashku ia dalim shumë më mirë.

Demokracia ka nevojë për gjithpërfshirje, e kjo ka nevojë për besim, për vizion, dhe për guxim. E di që të gjitha këto elemente janë në këtë dhomë sot, por për të diskutuar akoma më shumë se si mund t’i shndërrojmë këto veti e fuqi në vepra e ndryshim, me padurim pres që të përfshihem në një bashkëbisedim me ju nesër në sesionin e paradites. Gjersa, sot, me panelet e diskutimet në vijim, ju uroj angazhim aktiv dhe përmbajtjesor.

Ju faleminderit të gjithëve!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.