Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në shënimin e 12 qershorit Ditës së Paqes, ka bërë homazhe te varri i presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, te varri i veprimtarit Adem Demaçi, në Kompleksin “Adem Jashari”, në Prekaz si dhe ka vendosur kurorë lulesh tek Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s.
Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:
Në shënimin e 12 qershorit, ditës kur Kosova u çlirua e erdhi paqja, nderuam figurat emblematike që kontribuan për lirinë tonë.
Presidenti historik, dr.Ibrahim Rugova, arkitekti i pavarësisë sonë, ishte njeriu që mbajti gjallë shpresën për liri e ndërtoi miqësi e aleanca që edhe sot i duhen Kosovës.
Ishim poashtu në Prekaz sepse liria jonë i ka rrënjët aty. Ndaj nderuam sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari me familjen e tij, si dhe të gjithë dëshmorët e UÇK-së të cilët i dhanë vulë lirisë sonë.
Sot nderuam edhe simbolin e vetëmohimit, veprimtarin Adem Demaçi, i cili një jetë të tërë ia kushtoi çështjes kombëtare.
Për lirinë tonë kontribut të çmuar dhanë edhe trupat e NATO-s, për të cilët populli i Kosovës do të jetë përherë falënderues. Prandaj vendosëm lule tek pllaka përkujtimore e ushtarëve të NATO-s, duke shprehur mirënjohjen tonë të përhershme.