DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga zhvilloi takime të ndara me Presidentin e Panamasë, Presidenten e Kosta Rikës dhe Ministrin e Jashtëm të El Salvadorit

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, sot në Tegucigalpa të Hondurasit, zhvilloi takime të ndara me Presidentin e Panamasë, Ricardo Martinelli, Presidenten e Kosta Rikës, Laura Chinchilla, dhe Ministrin e Jashtëm të El Salvadorit, zotëri Jaime Miranda Flamenco.

Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Martinelli biseduan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, proceset demokratike nëpër të cilat po kalon shteti i Kosovës dhe për ndihmën që Panamaja mund t’i japë Kosovës në procesin e konsolidimit ndërkombëtar të saj. Presidenti Martinelli theksoi se vendi i tij është i gatshëm që ta ndihmojë Kosovën në proceset nëpër të cilat po kalon ajo.Në një bisedë miqësore, Presidentja Jahjaga dhe Presidentja Chinchilla, biseduan për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet dy vendeve dhe në veçanti për arritjen e marrëveshjeve të përbashkëta në fusha të ndryshme, si dhe për ndihmën që Kosta Rika mund t’i japë Kosovës në procesin e njohjeve në Amerikën Qendrore dhe atë Jugore.Presidentja Jahjaga falënderoi ministrin Miranda për njohjen e Kosovës nga El Salvadori dhe theksoi se të dyja vendet duhet të vendosin marrëdhënie të mira ndërmjet tyre që do të ndihmonte në thellimin e bashkëpunimit. Ajo tha se ndihma e El Salvadorit për Kosovën është e nevojshme posaçërisht në konsolidimin ndërkombëtar të vendit në rajonin e Amerikës Qendrore dhe atë Jugore.Gjatë ditës, Presidentja Jahjaga mori pjesë në një drekë zyrtare që  Presidenti i ri i Hondurasit shtroi për udhëheqësit e delegacioneve që morën pjesë në ceremoninë e inaugurimit presidencial, në mesin e të cilëve ishin edhe Presidenti i Panamasë, Presidentja e Kostarikës, Presidenti i Kolumbisë, Presidenti i Republikës Dominikane, kryeministri i Belizesë, ministri i jashtëm i El Salvadorit dhe Princi i kurorës i Spanjës. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, po qëndron në Honduras, me ftesë të presidentit të ri Juan Orlando Hernández Alvarado, ku mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit presidencial. Në ditën e parë të qëndrimit në Tegucigalpa të Hondurasit, ajo u takua me presidentin e ri të zgjedhur. Gjatë ceremonisë së inaugurimit, Presidentja Jahjaga ka takuar edhe liderë të tjerë pjesëmarrës. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.