DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga vizitoi plantacionin e kultivimit të manaferrave në fshatin Loxhë të Pejës

Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, zotëri Blerand Stavileci, vizituan sot plantacionin e kultivimit të manaferrave të familjes Morina në fshatin Loxhë të Pejës, në kuadër të promovimit të prodhimeve bujqësore vendore.

Gjatë vizitës në plantacionin e familjes Morina, Presidentja Jahjaga u njoftua për së afërmi me gjithë punën dhe angazhimin e familjes në kultivimin e pemëve të imta dhe me kushtet në të cilat punon kjo familje. Presidentja Jahjaga dhe ministri Stavileci së bashku me familjarët e familjes Morina bënë edhe vjeljen e manaferrave në plantacionin e kësaj familjeje.

Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë që prodhuesve vendorë t’u jepet përkrahja institucionale për avancimin, përparimin dhe zhvillimin e produkteve vendore bujqësore.

Në vijim po japim deklaratën e plotë të Presidentes Jahjaga pas vizitës së plantacionit të kultivimit të manaferrave në fshatin Loxhë të Pejës:

Kam ardhur sot këtu në shoqërim të ministrit të Bujqësisë, z. Stavileci që të shoh nga afër punën e fermerëve tanë për prodhimin e produkteve vendore bujqësore, që ju e dini që për disa ditë me radhë janë duke u prezantuar në kryeqendrën e shtetit tonë me iniciativë dhe me përkrahjen e ministrisë së Bujqësisë për promovimin e produkteve vendore bujqësore.

Sot pata rastin që të jem së bashku me familjen e bacës Sadik Morina që të shoh nga afër punën, angazhimin dhe përkushtimin e kësaj familje këtu në fshatin Loxhë, por edhe si shumë familje dhe fermerë të tjerë anë e kënd shtetit tonë, për angazhimin dhe punën e tyre të vazhdueshme që të sjellin sa më shumë prodhime bujqësore vendore, që t’i pasurojnë tavolinat e të gjithë qytetarëve të Kosovë me prodhime të mira dhe cilësore vendore.

Prodhimi, kultivimi dhe sigurimi i pemëve të imta gjithsesi që fillimisht ndikon në avancimin e mirëqenies së fermerëve, por gjithashtu që ndikon edhe në fuqizimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të plasimit në tregjet e vendit tonë të këtyre prodhimeve të pemëve të imta, por gjithsesi që kjo ndikon edhe në plasimin apo në hapjen e një mundësie të re të plasimit të këtyre produkteve në tregjet rajonale, por edhe në ato të jashtme.

Dita ditës në po shohim që prodhimi, kultivimi i pemëve të imta është duke u rritur gjithnjë e më shumë. Unë veçanërisht nga familja Morina dëgjova se sa kërkohet dhe sa është fitimi me prodhimin e pemëve të imta dhe kjo gjithsesi se do të ndikojë në avancimin e tregut të brendshëm, por gjithsesi se do të ndikojë më së shumti, çka është edhe qëllimi ynë, në avancimin e mëtutjeshëm të ekonomisë dhe përparimin e ekonomisë së shtetit tonë.

Kam ardhur këtu që të jap përkrahjen time institucionale për avancimin, përparimin dhe zhvillimin e produkteve vendore bujqësore.  Ju e dini që qëllimi ynë kryesor është që prodhimet tona, veçanërisht prodhimet vendore bujqësore jo vetëm që të plasohen dhe të mbizotërojnë tregun tonë, por edhe që të dalin në tregjet rajonale dhe në tregjet e jashtme, besoj që me përkrahjen e vazhdueshme të institucioneve vendore, por edhe të atyre që e kanë përkrahur deri më tani.

Do të doja të shfrytëzoja rastin se ky projekt i tillë, por edhe projekte të tjera të cilat janë duke u zhvilluar për momentin në Kosovë janë duke u përkrahur nga disa organizata ndërkombëtare dhe shfrytëzoj rastin që të falënderoj USAID-in me programe të veçanta të cilat kanë siguruar një ndihmesë, por edhe me përkushtimin e dëshmuar të fermerëve tanë që kjo fushë të zgjerohet fillimisht, në mënyrë që të krijojmë bazat e nevojshme për zhvillimin e mëtutjeshëm ekonomik dhe qëndrueshmërinë e shtetit tonë. Unë kam ardhur këtu që të jap jo vetëm përkrahjen time institucionale, por edhe çdo përkrahje tjetër që të krijojmë kushte sa më shumë që është e mundshme që jo vetëm të dominohet në tregun tonë, por edhe të hapen mundësi për dalje në tregjet e jashtme, dhe ne e kemi një fjalë,  në mënyrë që të pasurojmë dhe begatojmë sofrën tonë dhe ta ndajmë atë me të tjerët.  
 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.