DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga vizitoi Pejën dhe qytetarët në nevojë

Presidentja Jahjaga, me rastin e festave të fundvitit, ka ndarë subvencione për qytetarët në nevojë në tri komuna – të Mitrovicës, Pejës dhe të Prizrenit.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, sot qëndroi ne Pejë, në kuadër të vizitës në qendrat që përkujdesen për qytetarët në nevojë. Presidentja Jahjaga, e shoqëruar nga ministri i punës dhe mirëqenies sociale, zotëri Arban Abrashi, fillimisht u takua me kryetarin e komunës së Pejës, zotëri Gazmend Muhaxheri, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në komunë dhe projektet zhvillimore të saj.Kryetari Muhaxheri e njoftoi Presidenten për aktivitetet, nevojat dhe sfidat e komunës së Pejës, si dhe projektet për zhvillimin e bujqësisë e të turizmit malor. Ai gjithashtu foli edhe për përkujdesjen e komunës për shtresat e popullsisë që janë në nevojë. Presidentja Jahjaga theksoi nevojën e përkujdesjes institucionale për kategoritë e caktuara në shoqëri dhe për punën e përbashkët në rritjen e mirëqenies për të gjithë qytetarët e Kosovës. Presidentja Jahjaga, e shoqëruar nga ministri Abrashi dhe kryetari i Pejës, Muhaxheri, vizituan dy qendra që përkujdesen për fëmijët në veçanti dhe qytetarë në nevojë, “Duart plot mëshirë” dhe “Qendrën për jetë të pavarur”. Ata së bashku vizituan edhe lagjen “7 Shtatori” në Pejë, ku jeton, në kushte të rënda sociale, një numër i qytetarëve të komunitetit rom, egjiptas e ashkalinj. Pas vizitës, Presidentja Jahjaga dha një deklaratë përpara mediave, të cilën po e botojmë në tërësi:Sot erdha këtu në komunën e Pejës, së bashku me ministrin Abrashi dhe kryetarin e komunës, Muhaxheri, që për së afërmi t’i shohim qytetarët tanë që jetojnë në lagje të ndryshme, të shohim personalisht se në çfarë kushtesh jetohet në këto lagje. E dyta është që të ofrojmë mbështetjen tonë institucionale për përmirësimin e jetës së tyre, që t’ua kthejmë identitetin dhe dinjitetin e tyre, së pari si qytetarë të Republikës së Kosovës, si qytetarë të këtij qyteti dhe të kësaj pjese të shtetit tonë. Qëllimisht kemi zgjedhur në festat e fundvitit që të vijmë dhe t’i vizitojmë. Me këtë ne e përçojmë mesazhin e ndihmës dhe të përkrahjes. Ne si popull gjithmonë kemi qenë zemërhapur, kemi qenë popull solidar. Ne e dimë më së miri se, në çfarëdo kushtesh që kemi jetuar, në këto dy dekadat e fundit, ne e kemi hapur zemrën dhe atë që e kemi pasur për vete, e kemi ndarë edhe për fqinjin. Kështu që, i lus qytetarët tanë, që, sidomos për këto festat e fundvitit, t’i hapin zemrat e tyre dhe t’ju ndihmojnë qytetarëve të tyre, fqinjëve të tyre, sepse në këtë mënyrë e ndihmojnë vetë vendin tonë.   Presidentja Jahjaga, me rastin e festave të fundvitit, ka ndarë subvencione për qytetarët në nevojë. Kështu, me 3.000 euro është subvencionuar Lidhja e Invalidëve dhe Viktimave Civile të Luftës në Kosovë – me seli në Mitrovicë. Gjithashtu, me shumën prej 3.000 euro është subvencionuar Shoqata “Duart plot mëshirë”, me seli në Pejë, me dedikim për familjet e komunitetit rom, ashkalinj dhe egjiptas të lagjes “7 Shtatori” në Pejë, për të cilët përkujdeset kjo shoqatë. Subvencioni prej 3.000 euro është ndarë edhe për Shoqatën Humanitare të Prindërve me Persona me Aftësi të Kufizuara Mendore – Hadër, me seli në Prizren.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.