Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, me rastin e Festës së Krishtlindjes, ka përgëzuar Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, si dhe të gjithë besimtarët e krishterë.
Në urimin e Presidentes thuhet:
I nderuar Ipeshkëv, të nderuar besimtarë,
Me rastin e ditës së Krishtlindjes, që simbolizon vlerat më të larta të solidaritetit, harmonisë, dashurisë dhe paqes ndërmjet njerëzve, ju shpreh urimet e mia Juve dhe gjithë besimtarëve të krishterë.
Këtë festë le ta kalojmë me gëzim e harmoni në familjet tona, me të mirat që na i ka dhuruar Zoti.
Krishtlindjet sot e gjejnë vendin tonë, Republikën e Kosovës, me një numër të madh arritjesh në të gjitha fushat, me përkushtimin për rritjen e mirëqenies për qytetarët tanë pa dallim etnie e besimi, për zhvillim ekonomik të vendit dhe me synime të qarta për integrime euroatlantike.
Në këtë rrugë kemi plot sfida e vështirësi. T’i kalojmë ato së bashku, me synimin për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Në këtë ditë, le të kujtohemi për të gjithë njerëzit rreth nesh që kanë nevojë për ndihmën dhe solidaritetin tonë. Të ndajmë me ta momentet e festës, t’ua bëjmë atyre kremten dhe jetën më të lehtë e më të mirë.
Po kështu, le të përkujtojmë ata që nuk janë më në mesin tonë. Ata kanë dhënë shumë e kanë bërë shumë për ne dhe për shtetin.
Në ditën e Krishtlindjes, uroj të gjithë udhëheqësit dhe pjesëtarët e misioneve ndërkombëtare në vendin tonë, ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë dhe të gjithë përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë, të cilët do të festojnë këtë ditë të shënuar në vendin tonë.
Ju shpreh të gjithëve urimet e mia më të mira me rastin e Krishtlindjes. Lutem që në këtë ditë dhe gjithmonë, në familjet tuaja të ketë paqe, begati e harmoni.
Me respekt,
Atifete Jahjaga
Presidente e Republikës së Kosovës