DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga vizitoi Kompleksin Memorial dhe familjen Jashari në Prekaz

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga qëndroi sot në Prekaz të Skenderajt, në kuadër aktiviteteve për shënimin e Epopesë së UÇK-së.

Fillimisht ajo bëri homazhe në kompleksin Memorial ”Adem Jashari”, si dhe vizitoi një ekspozitë fotografish dhe muzeun që është i hapur në kuadër të kompleksit. Gjithashtu, Presidentja Jahjaga vizitoi familjen Jashari, ku u prit nga kryefamiljari Rifat Jashari. Në një deklaratë dhënë pas vizitës, Presidentja Jahjaga tha: Sot pata nderin që të vizitoj familjen Jashari, në këtë ditë plot dhimbje për ta por edhe për të gjithë Kosovën, në këtë 18-vjetor të rënies heroike të 53 pjesëtarëve të kësaj familjeje dhe të kësaj lagjeje. Pata nderin të takoj Rifat Jasharin dhe anëtarë të tjerë të kësaj familjeje, të bisedoj me bacën Rifat, të rikujtojmë sakrificën e madhe që ka bërë kjo familje, por edhe shumë familje të tjera anembanë Kosovës për ta jetësuar ëndërron tonë të përjetshme, ëndrrën tonë historike, për ta bërë Kosovën shtet të lirë, shtet të pavarur. Në këto varre këtu pranë janë moshatarët tanë, gjenerata të ndryshme të kësaj familjeje. Këtu është dhënë jeta për liri dhe këtë nuk duhet ta harrojmë. Kthimi im në Prekaz gjithmonë më emocionon, sepse ma rikujton çmimin e madh që kemi dhënë si popull dhe si shtet, si dhe borxhin që ua kemi gjithë atyre që kanë dhënë jetën për lirinë, për pavarësinë tonë, që ta ndërtojmë një Kosovë të të gjithë qytetarëve të saj, një Kosovë me perspektivë të qartë euroatlantike.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.