DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga vizitoi shkollën “Zenel Hajdini” në Prishtinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, vizitoi sot shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Zenel Hajdini” në Prishtinë, ku u prit nga drejtori, zoti Nazif Jashari dhe stafi i kësaj shkolle.

Presidentja Jahjaga, me këtë rast, takoi mësuesen Xhemajlie Oruçi, e cila ka dhënë kontribut në këtë shkollë mbi 40 vjet, si dhe klasën e saj. Presidentja Jahjaga e falënderoi mësuesen Oruçi për kontributin e dhënë në arsimimin e brezave të qytetarëve të Kosovës. “Dëshiroj t’ju uroj për ditën e 7 Marsit, juve dhe gjithë mësuesve dhe arsimtarëve kudo në Kosovë. Punës dhe përkushtimit tuaj 40-vjeçar duhet falënderuar gjenerata të tëra, që kemi ardhur deri në këtë ditë të sotme. Unë çdo 7 Mars e bëjë një aktivitet të caktuar, por këtë vit kam zgjedhur shkollën tuaj. Ju uroj fat dhe suksese”, tha Presidentja Jahjaga. Ndërkaq, mësuesja Xhemajlie Oruçi e falënderoi Presidenten Jahjaga për këtë vizitë. “Për mua është një kënaqësi e veçantë që kontribuova në këtë shkollë për 40 vite. Më 24 mars e përfundoj karrierën time në këtë shkollë. Unë të falënderoj në emër timin dhe të gjithë stafit për këtë vizitë. Për mua është kënaqësi që përvojën 40-vjeçare ta përfundoj me këtë befasi dhe me këtë vizitë të veçantë nga presidentja Jahjaga dhe këtë nuk do ta harrojë kurrë”, tha mësuesja Oruçi.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.