Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga ministri i punës dhe mirëqenies sociale, zotëri Nenad Rashiq, vizitoi sot Federatën e Sindikatave të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të Kosovës.
Në një bisedë të gjatë dhe të hapur me përfaqësuesit e Federatës së Sindikatave dhe një numër të pensionistëve të Kosovës, Presidentja Jahjaga u njoftua me gjendjen, shqetësimet dhe me pozitën e tyre. Kryetari i Federatës së Sindikatave të Pensionistëve dhe të Invalidëve të Punës, zotëri Riza Shala duke e falënderuar Presidenten për vizitën e saj e informoi atë për gjendjen aktuale të pensionistëve të Kosovës si dhe me problemet me të cilat përballen ata. Zotëri Shala theksoi nevojën e miratimit të ligjit për pensionet dhe kërkoi përkrahjen e institucioneve të vendit për këtë kategori të shoqërisë në Kosovë. Presidentja Jahjaga fillimisht shprehu mirënjohjen për punën që kanë bërë si dhe për vazhdimin e angazhimit të pensionistëve të Kosovës në shoqëri. Ajo gjithashtu u shprehu edhe përkrahjen për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe zgjidhjen e çështjeve pensionale. Presidentja Jahjaga theksoi se Republika e Kosovës është shtet i ri, të cilin po e ndërtojmë për çdo ditë të gjithë së bashku dhe se institucionet e Kosovës angazhohen për një mirëqenie më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit.