presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga vazhdoi konsultat me drejtuesit e subjekteve politike

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takime të ndara, fillimisht kryetarin e PDK-së, zotëri Hashim Thaçi, i shoqëruar nga nënkryetari zotëri Kadri Veseli dhe më pastaj në takim të përbashkët kryetarin e LDK-së, zotëri Isa Mustafa, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, zotëri Albin Kurti, kryetarin e AAK-së, zotëri Ramush Haradinaj si dhe kryetarin e NISMA-s, zotëri Fatmir Limaj, për të diskutuar për procesin e krijimit të institucioneve të Kosovës.

Presidentja Jahjaga në takimet e zhvilluara theksoi se ndërtimi shpejtë i institucioneve të vendit është domosdoshmëri dhe kjo do të hap perspektivën për qytetarët e vendit dhe proceset demokratike. Presidentja ritheksoi edhe njëherë faktin se zgjidhjet duhet të gjenden brenda kuadrit kushtetues, në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe theksoi se liderët e partive politike parlamentare duhet të gjejnë mënyrat për diskutuar bashkë zgjidhjet për konstituimin e Kuvendit, që hap rrugën drejt krijimit të institucioneve të vendit.

Ajo tha se vetë liderët e partive politike parlamentare duhet të ofrojnë propozime dhe sugjerime për të dalë nga situata e krijuar duke mundësuar lehtësimin e mëtejmë të diskutimeve mes tyre.

Liderët e partive politike parlamentare e vlerësuan rëndësinë e takimeve me presidenten dhe theksuan nevojën që të arrihet zgjidhja për krijimin e institucioneve të vendit.

Takimet e Presidentes Jahjaga me liderët e partive politike parlamentare do të vazhdojnë në ditët në vijim.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.