presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga uroi Presidentin Obama

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga uroi sot z.Barack Obama, me rastin e rizgjedhjes së tij si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në urim thuhet:
 
I nderuari President Obama,
 
Më lejoni që në emër të popullit të Republikës së Kosovës dhe emrin tim personal t’ju uroj rizgjedhjen si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përgëzojmë popullin amerikan për përkushtimin që ta realizojnë të drejtën e votës duke qenë pjesëmarrës në forcimin e demokracisë dhe idealeve që shquajnë vendin tuaj. Zgjedhjet presidenciale në SHBA janë frymëzim për të gjithë ne që punojmë për krijimin e shoqërive gjithëpërfshirëse, prosperuese dhe ndërtimin e demokracisë së mirëfilltë.
 
Kjo më së miri dëshmon besimin që qytetarët amerikanë kanë për vizionin tuaj dhe për punën e palodhshme për të shtyrë përpara reformat në SHBA dhe për të forcuar paqen dhe stabilitetin në botë duke promovuar vlerat amerikane që garantojnë një të ardhme më të sigurt.
 
Republika e Kosovës është një aleat dhe partner i përkushtuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ne do të angazhohemi fuqimisht që të thellojmë miqësinë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve dhe popujve tanë edhe më tutje. SHBA-të kanë luajtur rol vendimtar për lirinë dhe të drejtën e qytetarëve të Republikës së Kosovës të vendosin për fatin e tyre. Falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që, të udhëhequra nga ju, kanë luajtur rol të jashtëzakonshëm në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, avancimin e proceseve demokratike dhe në rrugën e integrimeve euroatlantike.
 
Duke ju dëshiruar sukses në mandatin e ri, ju përgëzoj edhe një herë për fitoren dhe mirëpres mundësinë që këto urime t’ua përcjell personalisht në muajt në vijim.
 
Zoti ju bekoftë ju dhe popullin amerikan!
 
Me nderime,

Atifete Jahjaga,
Presidente e Republikës së Kosovës

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.