Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua në New York me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në rajon, procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe perspektivën evropiane për gjithë rajonin.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është promovuese e paqes dhe fqinjësisë së mirë në gjithë rajonin dhe po synon përmbylljen e procesit të anëtarësimit në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Presidentja Jahjaga vlerësoi rolin e Këshillit të Evropës në Kosovë dhe tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ndihmonte vendin në shumë fusha por edhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, zotëri Thorbjorn Jagland vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe theksoi përparimin në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se grupet punuese ndërmjet Kosovës dhe KiE-së po vazhdojnë punën dhe presim formalizimin e Zyrës së KiE-së në Kosovë. Ai tha se në raport me Kosovën po ndiqet qasja hap pas hapi.Presidentja Jahjaga dhe sekretari i përgjithshëm i Këshillitë Evropës biseduan edhe për zhvillimet e tjera në rajonin e Evropës Juglindore dhe perspektivën evropiane të Kosovës por edhe të gjithë rajonit.