Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga u prit sot në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, nga Princi i kurorës Sheiku Mohammed Bin Zayed Al Nahyan.
Presidentja Jahjaga dhe Sheiku Mohammed Bin Zayed Al Nahyan biseduan për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, posacërisht për vendosjen e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe të investimeve.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova krahas konsolidimit të shtetësisë së saj në skenën
ndërkombëtare është përqëndruar në zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja, që do të ndihmojnë përparimin dhe vendit dhe mirëqenien e qytetarëve të saj.
Ajo tha se Kosova ka krijuar një klimë të mirë të biznesit dhe tha se Kosova ofron potencial të madh për invesitime në fusha të ndryshme, posacërisht në sektorin e energjisë, të bujqësisë, në miniera dhe në industrinë e tekstilit.
Duke e falenderuar Sheikun Mohammed Bin Zayed Al Nahyan për ndihmën që Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë dhënë Kosovës përgjatë periudhës së shtetndërtimit të saj duke ndihmuar në vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, Presidentja Jahjaga e vlerësoi si shumë të rëndësishëm zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë.
Presidentja Jahjaga i bëri ftesë Sheikut Mohammed Bin Zayed Al Nahyan që ekipi i ekspertëve të Emirateve të Bashkuara Arabe të vizitojë Kosovën për t’u njohur më mirë me mundësitë, kapacitetet dhe potencialin njerëzor dhe natyror që Kosova ka.
Duke shprehur mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për ndihmën në ruajtjen e paqes, përmes pjesëmarrjes së trupave së Emirateve të Bashkuara Arabe në kuadër të forcave paqeruajtëse, për ndihmë në rimëkëmbjen e Kosovës dhe në shtetndërtimin e saj, Presidentja Jahjaga e dekoroi Sheikun Mohammed Bin Zayed Al Nahyan me Urdhrin e Pavarësisë.
Duke e falenderuar Presidenten Jahjaga për nderin dhe respektin e treguar, Princi i Kurorës Sheiku Mohammed Bin Zayed Al Nahyan, vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të thelluar bashkëpunimin në fusha të tjera të interesit.
Sheiku Mohammed Bin Zayed Al Nahyan shfaqi interesimin për mundësitë, potencialin dhe kapacitetet që Kosova ofron për investime të huaja dhe shprehu gatishmërinë për të vlerësuar mundësitë e ndihmës përmes projekteve të përbashkëta në fushën e ekonomisë.