presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga u takua me presidentin e Estonisë Toomas Hendrik Ilves

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua sot me presidentin e Estonisë, Toomas Hendrik Ilves.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi ndihmën që Estonia i ka dhënë Kosovës dhe gjithë rajonit të Ballkanit dhe theksoi se është i rëndësishëm thellimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat.  Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka shënuar përparim të madh në të gjitha fushat dhe pas përmbylljes së fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë Kosova i ka marrë të gjitha përgjegjësitë e saj duke garantuar të drejtat e barabarta për të gjitha komunitetet që jetojnë në vend.  Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga tha se Kosova është dëshmuar si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe si promovuese e fqinjësisë së mirë, duke qenë e hapur për bashkëpunim me të gjitha shtetet e rajonit.    Ajo tha se Republika e Kosovës, ka shënuar progres në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane me marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe studimin e fizibilitetit.  Presidentja Jahjaga tha se Estonia mund të ndihmojë Kosovën në rrugën e saj të integrimeve evropiane dhe në veçanti duke dhënë ndihmën e saj tek 5 vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Ajo tha se Kosova dhe rajoni duhet të kenë të qartë perspektivën evropiane sepse kjo do të ndihmonte ne ruajtjen e stabilitetit në gjithë Ballkanin Perëndimor dhe do të mundësonte vendosjen e marrëdhënieve miqësore mes shteteve në këtë rajon.  Presidenti i Estonisë, Toomas Hendrik Ilves, vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe bashkëpunimin që kanë të dyja vendet. Ai tha se Estonia është e gatshme ta ndihmojë Kosovën në të gjitha proceset demokratike e posaçërisht në atë të integrimeve evropiane përmes shembullit të saj.  Presidenti Ilves tha se Estonia mund të jap ndihmë konkrete edhe në fusha të tjera veçanërisht në atë të edukimit dhe të zhvillimit ekonomik. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.