presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga u takua me kryetarin e Kuvendit të Sllovenisë, dr. Pavel Gantar

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në kuadër të vizitës në Slloveni, u takua me kryetarin e Kuvendit të Sllovenisë, dr. Pavel Gantar. Dr. Gantar e vlerësoi lart vizitën e Presidentes dhe tha se ajo do të ndihmojë në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Ai tha se Kuvendi i Sllovenisë është i përkushtuar për të punuar me Kuvendin dhe me institucionet e tjera të Kosovës dhe shprehu gatishmërinë e institucionit që drejton për të ndihmuar rrugën evropiane për Kosovën. Dr. Gantar tha se Sllovenia është e gatshme që ta ndihmojë dhe ta asistojë Kosovën në proceset integruese dhe e vlerësoi si të rëndësishme përfshirjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave. Ai tha se kjo do të ndihmonte edhe procesin e reformave dhe përshpejtimin e përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga BE-ja.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, duke e falënderuar dr. Gantar për mikpritjen, i vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve si shumë të mira. Ajo tha se me Kuvendin e Sllovenisë duhet të thellohen marrëdhëniet dhe që Kosova të marrë përvojat në miratimin dhe adoptimin e ligjeve të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Presidentja Jahjaga tha se Kuvendi i Sllovenisë ka një përvojë të mirë në lidhshmërinë ndërmjet pushtetit qendror dhe lokal, në veçanti në decentralizim të pushtetit. Ajo tha se komisionet parlamentare të Kuvendeve të të dyja vendeve duhet të kenë një komunikim të rregullt dhe takimeve të përbashkëta me qëllim të shkëmbimit të përvojave.

Presidentja e Republikës së Kosovës tha se institucionet e vendit kanë treguar përkushtimin dhe angazhimin për të përmbushur kriteret dhe obligimet për liberalizim të vizave. Ajo tha se do të ishte e udhës që Kosova gjatë këtij viti të merrte udhërrëfyesin për liberalizim të vizave dhe vlerësoi se Sllovenia do të mund ta ndihmonte atë në proceset e përafrimit me BE-në.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.