Lubjanë, 18 korrik 2011 – Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga filloi sot vizitën dyditore në Republikën e Sllovenisë, me ftesë të Presidentit të këtij vendi, z.Danilo Tyrk.
Fillimisht Presidentja Jahjaga u prit në takim nga Presidentin Tyrk, ndërsa më pas ata kryesuan delegacionet respektive në takimin e përbashkët. Pas takimit, Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Tyrk folën para medieve për takimin dhe temat për të cilat biseduan. Më pas, Presidenti Tyrk shtroi një darkë për nder të vizitës së Presidentes Jahjaga , në të cilën gjithashtu u diskutua për një varg temash. Në vijim po sjellim deklaratat që Presidenti Tyrk dhe Presidentja Jahjaga bënë pas takimit, si dhe përgjigjet që ata dhanë në pyetjet e gazetarëve: Presidenti Tyrk: Unë kam qenë në vizitë në Kosovë në dhjetor të vitit 2009. Ishte vizita ime e parë, vizitë pune, ndërsa sot kemi vizitën e Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga. Sllovenia e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur në mars të vitit 2008 dhe prej atëherë ne kemi zhvilluar marrëdhënie shumë të mira në të gjitha nivelet, në nivelin politik, nivelin ekonomik dhe nivelet e tjera. Sa i përket marrëdhënieve ekonomike mes të dy vendeve, kemi një trend të mirë të zhvillimit të këtyre marrëdhënieve. Rritja e biznesit mes dy vendeve është rritur afërisht 12 për qind dhe kjo është në rritje e sipër. Në synojmë të kemi një balancim të tregtisë mes të dy vendeve dhe të zhvillojmë të gjitha format e tjera të bashkëpunimit. Dua të veçoj rëndësinë e investimeve sllovene në Kosovë. Numrat janë të ndryshëm, por prania jonë është e konsiderueshme. Sa i përket marrëdhënieve politike, Sllovenia mbështet Kosovën në pikësynimet e saj. E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian. Për këtë arsye, ne mbështesim të gjithë hapat e ecjes së Kosovës drejt Evropës. Ne jemi që të zhvillohen negociatat e duhura për liberalizimin e vizave. Do të ishte mirë që Bashkimi Evropian të vendos kriteret teknike për këto negociata dhe procesi i negociatave të fillojë. Në dëshirojmë që procesi i bashkëpunimit të Bashkimit Evropian dhe Kosovës të zhvillohet në drejtim të ngritjes së kornizës së duhur juridike të këtij bashkëpunimi në të ardhmen. Dëshira jonë është që Kosova edhe më tutje të veprojë si një faktor aktiv në stabilitetin në Evropën Juglindore. Presidentja Jahjaga: Vizita ime në Republikën e Sllovenisë, me ftesën e Presidentit të nderuar Danilo Tyrk, ka për qëllim të përparojë marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë. Simbolikisht kjo është vizita ime e parë bilaterale në një vend dhe unë jam e kënaqur që ky vend është pikërisht Sllovenia sepse ishte Republika e Sllovenisë dhe populli slloven që u gjetën përkrah dhe i mbështetën kërkesat e drejta të popullit të Kosovës për Republikë, për liri dhe pavarësi. Pikërisht nga këtu u alarmua opinioni për rrezikun nga nacionalizmi serb dhe për ekspansionin që regjimi i Serbisë me ndihmën e ushtrisë federative do ta bënte ndaj të gjitha republikave dhe gjithë popujve të ish-Jugosllavisë. Kjo tashmë është e kaluar dhe besoj se janë marrë mësimet nga kjo dhe tash të gjitha vendet tona janë të orientuara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të cilën gjë Republika e Sllovenisë e ka bërë e para nga ish-republikat jugosllave. Gjatë takimit me Presidentin Danilo Tyrk unë mora premtimin e tij se do të ndihmojë shtetin dhe popullin e Kosovës në rrugën drejt integrimit në Bashkimit Evropian. Po ashtu, biseduam edhe për marrëdhëniet bilaterale, sidomos për bashkëpunimin ekonomik dhe për procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe për lobimin e mëtutjeshëm në mënyrë që Kosova në një të ardhme të bëhet vend anëtar i OKB-së, i mekanizmave dhe organizatave të tjera ndërkombëtare si dhe anëtar i Bashkimit Evropian e i NATO-s. Përvoja dhe ndihma e Republikës së Sllovenisë e kanë një rëndësi të veçantë. Me Presidentin e Sllovenisë biseduam edhe për gjendjen e përgjithshme në rajon dhe në këtë kontekst edhe për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që po zhvillohet me lehtësimin dhe ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Siç e dini deri tash është arritur pajtimi për zgjidhjen e tri çështjeve që preokuponin vendet tona dhe sidomos qytetarët e të dyja vendeve. Deri në fund të këtij viti, besoj, se do të arrijmë marrëveshje edhe për së paku 5 çështje të tjera. Unë Presidentja e vendit i kam dhënë përkrahje të plotë dialogut, sepse kjo është rruga e vetme me të cilën dy vendet, të cilat kanë qenë në luftë, t’i normalizojnë marrëdhëniet. Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë në një periudhë jo të largët do ta njohin njëra-tjetrën dhe do të vendosin marrëdhënie diplomatike si dhe do të nënshkruajnë marrëveshje ndërshtetërore të cilat tashmë Kosova i ka të nënshkruara me vendet e tjera fqinje. Për Republikën e Kosovës është jetik anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe ne jemi duke i shfrytëzuar përparësitë e pranisë së misioneve të ndryshme ndërkombëtare në Kosovë që arritja e standardeve dhe plotësimi i kushteve ta kenë shpejtësinë e nevojshme, ky edhe ishte qëllimi i misionit ndërkombëtar ne Kosovës ne ndihmën shtetndërtimit dhe proceseve demokratike. Kosova ka nevojë për rrugë të qartë dhe Kosova duhet këtë vit të marrë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave që është në interes të qytetarëve të Kosovës dhe në interes të Bashkimit Evropian sepse te gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë të ardhme tjetër përveç anëtarësimit në BE. *****Pyetje: Cili është roli i Sllovenisë në njohjet e reja për Kosovën dhe në integrimin e saj në institucionet evropiane? Presidenti Tyrk: Sllovenia deri tani ka bërë shumë në këtë drejtim. Ne kemi një rol të rëndësishëm në kuadër të KFOR-it në Kosovë. Sllovenia është e afirmuar në këtë pikëpamje. Sllovenia ka programin e mirë bilateral, i cili përfshin jo vetëm çështjet ekonomike, por edhe çështje e projekte të tjera. Sllovenia, duke pasur bashkëpunimin e saj me Kosovën, e ka një profil të posaçëm, një profil të posaçëm. Duke pasur parasysh këtë profil, fjala e saj në kuadër të Bashkimit Evropian dëgjohet dhe ne duhet të arrijmë që në BE tematika e Kosovës të ketë nivelin e lartë të prioriteteve. Kjo nuk është e lehtë. BE siç e dini është i angazhuar në shumë probleme, siç është situata financiare dhe, në anën tjetër, në hapësirat e krizës në Afrikë, që janë në cep të Evropës. Kjo ka tërhequr një vëmendje të veçantë të Evropës. Prandaj, është mirë që shtetet si Sllovenia angazhohen që çështja e Kosovës të mos zbresë nga niveli i lartë i agjendës së BE-së. Sa i përket aktiviteteve konkrete, dua të veçoj liberalizimin e vizave. Mendoj se kjo është një çështje praktike që ndihmon. Kjo nuk është e lehtë, sepse pesë vende kanë vendosur të mos e njohin Kosovën. Por, ne bisedojmë me të gjithë, ne mundohemi që të bëhet njohja sa më parë. Këtu një rol të rëndësishëm e ka edhe Presidentja Jahjaga. Ne ishim së bashku në Varshavë, ku ishte një reagim i mirë, sepse në rrethin e shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, u shprehën disa gjëra të caktuara. Nuk mund të prejudikoj kohën kur do të ndodhë njohja e Kosovës nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian. Por unë dua të them se ne jemi shumë të vendosur që ato ta njohin Kosovën. Qëndrimi ynë është që në hapësirën e Evropës Juglindore secili ta njohë tjetrin dhe të gjithë të bashkëpunojnë mes vete. Ky parim është një pikënisje e bashkëpunimit dhe kështu do të jetë edhe më tutje. Pyetje: Nëse do të kishte propozim që Ballkani Perëndimor të hyjë bashkë në BE, cili do të ishte qëndrimi juaj? Presidentja Jahjaga: Çështja e integrimeve evropiane nuk është vetëm çështje individuale e një shteti. Vendet e rajonit janë shtete që kryesisht kanë një numër të vogël të popullsisë. Republika e Kosovës ka marrëdhënie shumë të mira me të gjitha vendet e rajonit dhe kjo është një nga parakushtet kryesore për integrime evropiane. Unë e përmenda dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Është një proces që do të lehtësojë jetën e qytetarëve të të dyja vendeve. Unë besoj fuqimisht se në një kohë jo fort të largët, Republika e Serbisë dhe Republika e Kosovës do ta njohin njëra-tjetrën si shtete të pavarura. Unë fuqimisht besoj se do të vendosen marrëdhëniet diplomatike mes të dyjave shteteve. Unë gjithashtu besoj se këto dy shtete do të fillojnë të nënshkruajnë marrëveshje ndërshtetërore, proces që Kosova tanimë e ka bërë me të gjitha vendet e rajonit. Në Samitin e Ohrit, ku ishin edhe presidentët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë, një nga temat kryesore të diskutimi ishte agjenda e përbashkët e të gjitha vendeve drejt integrimeve evropiane. Është shumë e rëndësishme që të gjitha këto vende të kenë një agjendë të qartë evropiane. Integrimi evropian është rruga e vetme për këto vende. Vetëm kështu rajoni do t’i kthehet normalitetit, paqes dhe stabilitetit. Pyetja: Cilat mund të jenë pengesat e mundshme në rrugën e integrimit evropian të Kosovës?A mundet Serbia t’i bëjë pengesa nëse hyn e para në BE? Presidentja Jahjaga: Unë jam në një vizitë miqësore, ku me Presidentin Tyrk biseduam për ngritjen e bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë. Ne kemi marrë përkrahjen që Kosova do të ndihmohet në procesin e mëtutjeshëm të integrimeve evropiane dhe në këtë proces Kosova do të ketë rrugën e qartë dhe të hapur. Sinqerisht nuk e di si do të sillet Serbia në të ardhmen, por Republika e Kosovës do të jetë e hapur dhe do të ketë moton e bashkëpunimit të mirë me të gjitha vendet e rajonit dhe me vendet fqinje. Unë sot nuk dua që nga Sllovenia të dërgoj porosi për Beogradin, por ju e dini cila është agjenda e qartë për Bashkimin Evropian, dhe që pesë vende të BE-së ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Ju i dini edhe të gjitha të arriturat që kanë bërë institucionet e Kosovës. Republika e Kosovës ka synim anëtarësimin në BE, në NATO, në OKB dhe në të gjitha iniciativat rajonale dhe në organizatat ndërkombëtare. Republika e Kosovës është e gatshme t’i marrë të gjitha përgjegjësitë dhe të gjitha obligimet e të qenit anëtar në Bashkimin Evropian. Presidenti Tyrk: Unë pajtohem me qëndrimet e Presidentes. Mendoj se është e rëndësishme që të shpjegojmë një parim të rëndësishëm: në Evropë të gjithë dëshirojnë që marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë të ecin përpara. Ne nuk e vlerësojmë se ecja përpara në bisedimet mes Kosovë dhe Serbisë të jetë parakusht për ecje përpara në nivele të tjera. Kjo nuk është kusht. Kemi të bëjmë me dy procese paralele: njëri bisedimet Kosovë-Serbi, tjetri Kosova dhe Bashkimi Evropian. Këto dy procese duhet të ecin paralelisht. Nuk duhet të krijohet ideja se procesi mes Kosovës dhe Serbisë është parakusht për ecjen e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Pyetja: Në Kosovë ka kundërshtime, partitë opozitare thonë se dialogu duhet të ndërpritet. Pyetja e dytë ka të bëjë me prezencën evropiane në Kosovë, në këtë mes të EULEX-it. Presidentja Jahjaga: Procesi i dialogut nuk është mënyra më e mirë, por mënyra e vetme për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Në dialogun teknik deri tash janë arritur tri marrëveshje, që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve. Këto marrëveshje nuk do të miratohen nga qeveritë e asnjërit vend dhe nuk do të ratifikohen nga parlamentet respektive dhe nuk do të nënshkruhen as nga presidenti i njërit vend as nga presidenti i vendit tjetër. Deri tash Kosova ka treguar gatishmërinë për krijimin e grupeve punuese për zbatimin e këtyre marrëveshjeve. Kjo është mënyra e vetme që të fillojmë normalizimin e marrëdhënieve me shtetin fqinj. Sa i përket misionit të EUELX-it, është në interesin e qytetarëve të Kosovës, por edhe të Bashkimit Evropian, që ky mision të jetë i suksesshëm. E vetmja mënyrë që Bashkimi Evropian të jetë i suksesshëm në Kosovë është që ky mision të përmbushë detyrat e veta. Deri tash EULEX-i ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha institucionet e Kosovës dhe ky bashkëpunim duhet të rritet edhe më tutje, në drejtim të përmbushjes së misionit të BE-së në Kosovë.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR