Vilnius, 29 qershor 2011 – Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Lituani, për të marrë pjesë në konferencën “Gratë përforcojnë demokracinë: praktikat më të mira”, pati sot një takim zyrtar me zonjën Melanne Verveer, ambasadore në Departamentin Amerikan të Shtetit për çështjet globale të grave.
Në bisedën zyrtare u diskutua për konferencën e nesërme dhe për fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare e sidomos në rajon.
Zonja Verveer theksoi parimin se asnjë vend nuk mund të ketë zhvillim nëse nuk ka zhvillim të pozitës së femrës dhe nëse femra nuk e luan rolin e saj të barabartë në shoqëri, duke theksuar rolin e femrës në botë dhe në veçanti rolin e saj në zhvillimin ekonomik e social të shoqërisë. Ajo tha se shembulli i zgjedhjes së Presidentes së Kosovës do të duhej të shërbente edhe për institucionet e tjera të vendeve ku femrat duhet të kenë përfaqësim dhe rol më të madh në lidership.
Zonja Verveer përmendi angazhimin e saj dhe të Qeverisë amerikane në vitet e luftës në Kosovë duke theksuar fuqinë e femrës kosovare në kohërat e rënda në të cilat ka kaluar vendi.
Falë angazhimit dhe punës së përbashkët Kosova sot është një vend krejtësisht ndryshe dhe ajo ka të gjitha potencialet dhe përkrahjen për të pasur sukses. Për këtë është e rëndësishme të shfrytëzohen mundësitë e angazhimit të femrës në Kosovë, në veçanti kur bëhet fjalë për biznes të vogla dhe të mesme, që do ta ndihmonte zhvillimin e një shoqërie në tërësi, tha zonja Verveer.
Presidentja Atifete Jahjaga tha se ndihma e SHBA për Kosovën ka qenë dhe mbetet e pazëvendësueshme dhe ajo vazhdon të jetë qenësore, sepse Kosova ka vullnet, ka njerëz të përkushtuar, ka potenciale për të ecur përpara, duke pasur një popullatë shumë të re dhe të orientuar fuqishëm për integrimet euroatlantike.
Duke theksuar se zëri i femrës udhëheqëse në Kosovë është i rëndësishëm, Presidentja nënvizoi se është me rëndësi rritja e rolit të femrës edhe në gjithë rajonin.
Në këtë plan, Presidentja Jahjaga theksoi idenë e organizimit të një konference ndërkombëtare të grave lidere të rajonit dhe të vendeve në zhvillim, e cila në fillim të vitit të ardhshëm do të mbahej në Prishtinë, si formë e një bashkëpunimi konkret e të përhershëm.
Për Kosovën dhe për qytetarët e saj, në veçanti për të rinjtë e Kosovës, është me rëndësi hapja e perspektivës evropiane, që do të mundësonte lirinë e lëvizjes dhe shkëmbimin e ideve me vendet e Bashkimit Evropian.