Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka pritur sot Gjeneral John Allen, i Dërguar Special Presidencial në Koalicionin Global Kundër ISIS-it ku bënë pjesë edhe Republika e Kosovës.
Presidentja Jahjaga e njoftoi z. Allen me veprimet e ndërmarra nga institucionet e Kosovës dhe mekanizmat e sigurisë për të parandaluar dhe për t’u përballur me kërcënimi terrorist global që paraqet ISIS-i dhe grupet tjera terroriste të lidhura me të, përfshirë masat e sigurisë dhe ato legjislative të vendosura për të pamundësuar aktivitetet, organizimin dhe çfarëdo veprimtarie radikale e ekstremiste në Kosovë. Presidentja Jahjaga theksoi se veprimet e hershme të institucioneve të Kosovës e kanë shndërruar Kosovën në shembull për qasjen ndaj këtij fenomeni dhe sfide të sigurisë. Presidentja Jahjaga shprehu vendosmërinë dhe nënvizoi përpjekjet konkrete të institucioneve të Republikës së Kosovës që vendi ynë asnjëherë të mos bëhet strehë e grupeve terroriste apo burim i ekstremizmit. Ajo theksoi domosdoshmërinë për bashkërendim të veprimeve dhe bashkëpunim të afërtë ndërmjet shteteve të rajonit me qëllim të luftimit të dukurive që po kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë e vendit, të rajonit dhe më gjerë. Presidentja Jahjaga poashtu u përkushtua që institucionet e Kosovës të punojnë intenzivisht në zbatimin e rekomandimeve që dalin nga aktivitete të ndryshme të koalicionit global kundër ISIS-it që ndërlidhen me procesin e parandalimit dhe rehabilitimit. Gjenerali Allen vlerësoi anëtarësimin e Kosovës në koalicionin global në luftën kundër ISIS-it dhe pjesëmarrjen e saj në Grupin Punues të Koalicionit për shpërndarjen e mesazheve të kundërta. Gjenerali Allen dhe Presidentja e Republikës së Kosovës u pajtuan rreth rëndësisë së shkëmbimit të të dhënave dhe të informacioneve për të ndihmuar në ndalimin e valës së luftëtarëve të huaj dhe i diskutuan një varg mënyrash se si mund të zgjerohet dhe thellohet përqasja ndaj komuniteteve që mund të rrezikohen nga radikalizimi.