Është kënaqësi e veçantë të marr pjesë në promovimin dhe përkrahjen e gruas profesioniste të Kosovës dhe rrjetit të grave profesioniste.
I nderuar z. Zbogar,I nderuar z. Hope,Të nderuar pjesëmarrës,Të dashura mike, Është kënaqësi e veçantë të marr pjesë në promovimin dhe përkrahjen e gruas profesioniste të Kosovës dhe rrjetit të grave profesioniste.Shpesh herë neve si shoqëri kemi parë rolin e gruas të portretizohet nëpërmjet imazhit të viktimës, të gruas në nevojë, të mposhtur apo të pa përmbushur.Ajo çfarë sot shumë qartë po shohim edhe në mesin tuaj, është një nismë serioze e cila synon trajtimin e barabartë të gruas në shoqëri. Nismë e cila duhet të shndërrohet në mision tonë të përbashkët të secilit qytetar të vendit dhe në secilën pjesë të institucioneve tona. Mike të dashura dhe ju miq të dashur, Gratë janë pjesë e barabartë e shoqërisë, ato japin kontribut të vyer në zhvillimin e gjithmbarshëm të saj çdo ditë. Pjesëmarrja e plotë dhe e barabartë e tyre në çdo fushë të jetës, në çdo nivel përfaqësimi, është qenësor për zhvillimin e gjithmbarshëm të një shoqërie. Sot jemi duke parë në praktikë atë që më keni dëgjuar ta them shpesh herë dhe më keni dëgjuar mua ta përsëris shpeshherë që investimi në grua nuk është investim vetëm në një individ, por është investim në familje, shoqëri dhe është investim në të ardhmen e një shteti. Ju po e dëshmoni se nuk ka limite në çfarë gratë mund të arrijnë dhe pozicionet me të cilat ato mund të udhëheqin e Të drejtojnë. Po i mposhtni zërat që thonë se nuk ka gra të suksesshme, që gratë nuk ia dalin dot, duke dëshmuar secila me shembullin tuaj të suksesit se vendi i gruas në shoqëri është i barabartë.Ju jeni gra të cilat keni thyer barrierat dhe keni sfiduar paragjykimet, por forca juaj shkon përtej kësaj. Forca juaj është mesazhi që ju përcillni te shumë gra e vajza të tjera në mbarë vendin dhe përtej, për të kërkuar të drejtat e tyre, për të ndjekur ëndrrat, për të parë përtej sfidave të tyre.Shembujt e suksesit si këto tuajat na bëjnë të vlerësojmë hapat pozitivë të ndërmarrë për fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, por, në të njëjtën kohë, na bëjnë edhe të ndërgjegjshëm që kemi ende shumë punë për të bërë për të arritur përfaqësimin e barabartë të gruas dhe për ta marrë vendin e saj të merituar në shoqëri dhe brenda institucioneve, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror.Vendi ynë është një ndër vendet ku papunësia ndër gra shënon shifrat më të larta në të gjithë rajonin, dhe ku niveli i analfabetizmit ndër vajzat mbetet ende i lartë, dhe ju e dini se në bazë të statistikave të fundit Kosova ka shifra shqetësuese sa i përket shkollimit të vajzave që ende janë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe më gjerë, që kemi statistikat më të larta të mosshkollimit të vajzave apo analfabetizmit tek vajzat, dhe ku përfaqësimi i saj në tavolinat vendimmarrëse mbetet ende i pamjaftueshëm. Mbetet tek ne që të përkrahim njëra-tjetrën, që ta fuqizojmë pjesëmarrjen e gruas në vendimmarrje si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror.Këtyre viteve të fundit, ne kemi shënuar progres të kënaqshëm, por kjo nuk duhet të jetë e mjaftueshme me një president grua, një pozitë të një ministre, ta themi apo me një kryetare të komunës. Ky është një mesazh i qartë për neve që duhet të punojmë ende që ta kemi një përfaqësim të mirëfilltë.Ne kemi ende rrugë për të bërë si institucione dhe shoqëri, për të përmbushur obligimet tona dhe përgjegjësitë që kemi për t’ju ofruar grave dhe vajzave mundësi të barabarta, të drejta të barabarta dhe trajtim të barabartë ashtu siç e kemi paraparë me ligjet dhe Kushtetutën tonë. Pra, e kemi shumë lehtë, e kemi në kushtetutë, e kemi në ligj, dhe neve ajo çka duhet të bëjmë është se duhet pak më shumë përkushtim nga gjithsecili prej nesh, pak më shumë presion edhe nga ana juaj, që Kushtetuta dhe ligjet të aplikohen. I kemi ato, mirëpo vetëm duhet t’i realizojmë ato në jetën tonë të përditshme.Kam pasur kënaqësinë të ndjek nga afër sukseset e programit Hope Fellowship, i cili ka promovuar vlerat e grave të Kosovës nga çdo fushë e jetës, por në të njëjtën kohë ka përçuar mesazhin e fuqishëm edhe përtej kufijve të vendit që gratë e Kosovës janë të suksesshme dhe se ato luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë dhe konsolidimin e përgjithshëm të shtetit tonë.I uroj Leadership and Growth Council shumë vite të tjera të suksesshme, sepse është baza e fillimit të saj, dhe rrjetit të grave profesioniste dhe ju ofroj mbështetjen time të pakursyer për të çuar përpara misionin tuaj që tanimë vetëm keni filluar, atë të fuqizimin të rolit të gruas dhe të dëgjimit të zërit të saj në mbarë shoqërinë tonë.Dua posaçërisht ta falënderoj BE-në dhe USAID-in për një përkrahje të fuqishme, për një mbështetje të këtij programi Hope Fellowship dhe këtij programit të ri, të cilët kanë qenë përkrahësit më të fuqishëm përmes fondeve të tyre që nga fillimi, për vite me radhë, ku në kapacitete të ndryshme, jo vetëm si presidente, kam ofruar përkrahjen time dhe kam ndihmuar që të nxjerrim kandidatë të duhur dhe kandidatë të cilët do të bëjnë ndryshimin në shoqërinë tonë.Unë gjithmonë them se një shoqëri e mençur është ajo shoqëri e cila investon në qytetarët e saj, pa dallim. Pra, investon në burrin dhe gruan pa dallim, sepse shoqëria jonë përbën 50 për qind gra dhe 50 për qind burra dhe neve duhet ta kemi po ashtu investimin e njëjtë.Me forcën, vullnetin, përkushtimin dhe vizionin tuaj, të dashura mike, ju po jepni kontributin tuaj në krijimin e shoqërisë së gjeneratave të reja kur nuk do të flasim më për barazi gjinore, por ne duhet të flasim për vlera të mirëfillta dhe të barabarta, pavarësisht se a janë gra apo burra dhe unë gjithmonë i referohem një thënieje të një mikes time të dashur dhe mikës së madhe të Kosovë, Sekretares Clinton, sepse: “çdo shtet dhe çdo shoqëri është e barabartë atëherë kur kemi trajtim të barabartë të 50 përqindëshit të shoqërisë”. Pra, të 50 për qind të kapacitetit dhe të potencialit të secilit vend në botë dhe jo vetëm në Kosovë, por në mbarë botën. Po ashtu, dua ta mbyll edhe me një thënie të një mikeje tjetër të madhe Kosovës, Sekretares Olbright, e cila thotë që “armiku më i madh i secilës grua është vetë gruaja”. Sepse, ajo thotë se gjithmonë është një vend i rezervuar në ferr për të gjitha ato gra që nuk e përkrahin gruan. Dhe, unë i them se e para, por edhe si një profesioniste, ju duhet ta përkrahni gruan, sepse përmes përkrahjes grave, ato përkrahin vajzat e tyre në shtëpi dhe përkrahin vajzat e tjera në shoqëri. Ju dëshiroj fat në projektin dhe suksese të përbashkëta.Ju faleminderit!